Sport

Prokurorët kërkojnë dy vjet e gjysmë burg për Luis Rubiales


Luis Rubiales puth Jenni Hermoson

Prokurorët spanjollë kanë kërkuar një dënim me dy vjet e gjysmë burg për ish-presidentin e Federatës së Futbollit Spanjoll (RFEF), Luis Rubiales, i cili po gjykohet për puthjen me forcë në buzë të mesfushores, Jenni Hermoso, pasi fitoi Kupën e Botës për femra.

Puthja e detyruar, e kapur nga kamera dhe transmetuar drejtpërdrejtë në mbarë botën, shkaktoi zemërim të gjerë dhe çoi në pezullimin e tij nga organi qeverisës i futbollit botëror FIFA.

Dy vjet e gjysmë burg është dënimi i kërkuar nga prokurorët spanjollë për Rubiales, i cili akuzohet për “sulm seksual dhe shtrëngim” të futbollistes Hermoso disa minuta pasi Spanja fitoi Kupën e Botës për femra.

Prokurorët gjithashtu duan që Rubiales, i cili ishte president i futbollit spanjoll deri në puthjen e diskutueshme gjatë festimeve të Kupës së Botës në Australi, t’i paguajë Hermoso-s të paktën 50,000 euro si kompensim, sipas një dokumenti të dërguar në Gjykatën Kombëtare të Spanjës.

Gjatë incidentit, i cili ndodhi më 20 gusht 2023 pasi Spanja mposhti Anglinë për të fituar finalen e Kupës së Botës për femra në Australi, Rubiales mbajti kokën e Hermoso-s me të dy duart dhe e puthi me forcë në buzë.

Ajo që dukej si një festë në atë kohë doli të ishte gjithçka tjetër veçse festë. Rubiales e hodhi poshtë atë akuzë si një “puthje konsensuale” ose një puthje e vogël, me pëlqimin e lojtares. Por ajo tha ndryshe.

Sipas ligjit spanjoll, një puthje jo konsensuale mund të klasifikohet si sulm seksual, një kategori krimi që përfshin të gjitha format e dhunës seksuale.

Sipas ankueses, pasi kuptuan se puthja mund të kishte “pasoja personale dhe profesionale” me pezullimin e tij nga FIFA më 26 gusht 2023, Rubiales dhe rrethi i tij filluan të bënin “presion të vazhdueshëm” ndaj saj për ta justifikuar publikisht puthjen si konsensuale.

Prokurorët kërkuan që 46-vjeçari të dënohej me një vit burg për ngjarjen dhe 18 muaj për akuzën e detyrimit, që do të shkonte deri në dy vjet e gjysmë.

Përveç Rubiales, tre nga ish-bashkëpunëtorët e tij janë gjithashtu në gjyq për presion ndaj Hermoso-s, ish-trajneri i femrave Jorge Vilda, drejtori i ekipit të meshkujve Albert Luque dhe drejtori i marketingut të RFEF, Ruben Rivera.

Hermoso ngriti një padi kundër Rubiales në shtator 2023, duke i thënë gjykatësit se asaj i ishte bërë presion për ta mbrojtur atë si në fluturimin e kthimit nga Australia, ashtu edhe gjatë një pushimi të ekipit në Ishujt Balearik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore