Sport

Jenni Hermoso konfirmon padinë kundër Rubiales


Jennifer Hermoso

Ylli i skuadrës fituese të Kupës së Botës me Spanjën, Jennifer Hermoso, e cila u përfshi në polemika pasi ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF), Luis Rubiales dyshohet se e puthi pa pëlqim, ka zgjeruar deklaratën e saj në gjykatat spanjolle.

Kampionia e botës, Hermoso përsëriti para një gjyqtari të martën se puthja e diskutueshme gjatë festimeve pas fitimit të Kupës së Botës për herë të parë ishte jokonsensuale dhe e detyruar.

Lojtarja tha gjithashtu se puthja nga ish-futbollisti i Real Sociedad, i cili tani është ish-presidenti i RFEF (i detyruar të japë dorëheqjen pas skandalit), nuk ishte kurrë konsensuale. Ajo gjithashtu pretendoi se i është bërë presion për ta mbrojtur Rubiales-in pas incidentit.

Lojtarja spanjolle, e cila së fundmi u largua nga FC Pachuca për t’iu bashkuar një tjetër klubi profesionist në Meksikë duke nënshkruar për Tigres de la UANL Femenil, konfirmoi dëshminë e saj në Gjykatën Kombëtare në Madrid.

Ajo buzëqeshi dhe përshëndeti shtypin e pranishëm në qendër të Madridit. Kjo seancë, e planifikuar fillimisht për më 28 nëntor, u shty për të përsëritur ankesën që bëri në atë kohë për puthjen e detyruar që mori pasi Spanja fitoi Kupën e Botës në Australi dhe Zelanda e Re.

Përveç konfirmimit të ankesës, asaj iu desh të zgjerohej dhe të jepte një pasqyrë të detajuar të ngjarjeve që do të jenë objekt i procedimit gjyqësor.

“Tashmë gjithçka është në duart e sistemit të drejtësisë dhe kjo është gjithçka që mund të them”, tha lojtarja teksa largohej nga gjykata dhe iu afrua shtypit për t’i uruar atyre vitin e ri.

E pyetur në konferencën për shtyp se si ndihej, ajo u përgjigj: “Jam mirë, jam e fortë”.

Nëse fillon procedimi penal, do të paraqiten provat, i akuzuari do të bëjë një deklaratë formale dhe një gjyqtar do të vlerësojë provat dhe do të japë një vendim sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi i Procedurës Penale, i cili rregullon çështjet penale në Spanjë.

Vlen të theksohet se gjatë procesit aktual të fajësimit që po vazhdon, gjyqtari ka vendosur masën e sigurisë. Kjo masë paraprake e ndalon Rubiales-in që të afrohet brenda 200 metrave nga Hermoso.

FIFA gjithashtu pezulloi ish-presidentin e futbollit spanjoll për tre vjet (një vendim që ai tha se do ta apelonte). Përveç Rubiales, tre persona të tjerë janë nën hetim për presion ose ngacmim të dyshuar.

Nga ana e tij, i akuzuari Rubiales dha versionin e tij të ngjarjeve në një fazë më të hershme të hetimit, duke u mbrojtur duke thënë se puthja ishte konsensuale, publike dhe se kishte kërkuar leje përpara se të kryente aktin për të festuar titullin botëror.

“Nuk më pëlqeu” – Jenni Hermoso puthet në buzë nga presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit

Luis Rubiales thotë se ai e puthi Jenni Hermoso-n si të ishte ‘vajza e tij’

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore