Sport

Superiorja, teatri i trajnerëve afatshkurtër


Shkarkimi i trajnerit Qatip Osmani nga Vllaznia është vetëm rasti më i fundit në Abissnet Superiore. Në elitën e futbollit shqiptar, që njihet si një kampionat që shkarkon shpesh trajnerët, vetëm dy emra kanë arritur të shpëtojnë deri më tani këtë sezon.

Edlir Tetova i Egnatias dhe Ivan Gvozdenovic i Skënderbeut janë dy trajnerët e vetëm që kanë arritur t’i shpëtojnë shkarkimit nga postet e tyre.

Deri në këtë pikë të sezonit ka pasur 17 shkarkime trajnerësh nga tetë ekipe të Superiores.

Laçi dhe Kukësi janë dy skuadrat rekordmene në Superiore pasi kane shkarkuar nga tre trajnerë dhe aktualisht po punojnë me një emër të katërt.

Kurbinasit e nisën sezonin me Stavri Nicën në krye, teksa gjatë rrugëtimit të tyre kanë pasur edhe Skerdi Bejzaden, Mirel Josën dhe së fundmi Armando Cungun.

Verilindorët e nisën sezonin me Rrahman Hallaçin në stol. Por, ish-kapiteni i Kukësit u pasua nga Stavri Nica. Ky i fundit u pasua nga Emiljano Cela. Ndërsa, aktualisht në stolin e tyre është Bledar Devolli.

Tirana, Partizani, Teuta dhe Erzeni kanë pasur nga tre emra të ndryshëm (duke përfshirë edhe rikthimet).

Bardheblutë e kryeqytetit e nisën sezonin me Orges Shehin. Ai u pasua nga Julian Ahmataj. Dhe, aktualisht Tirana drejtohet nga Erblim Fagu.

Partizani e nisi me Zoran Zekic. Arbër Abilaliaj u vendos si trajner i përkohshëm deri në momentin kur skuadrën e mori përsipër Orges Shehi.

Teuta e nisi sezonin me Eduard Martinin. Më pas u vendos për një kohë të shkurtër Diego Longo. Dhe, përfundimisht u vendos për rikthimin e Martinit.

Erzeni kishte fillimisht Alfred Deliallisin në stol. Ai u largua për t’i lënëe vendin Bejzades. Por, më pas u rivendos sërish Deliallisi.

Dinamo dhe Vllaznia janë dy skuadrat e tjera që kanë ndryshuar trajnerët gjatë sezonit aktual.

“Nëndetësja blu” e filloi me italianin Luigi di Biagio, të cilin e pasoi Dritan Mehmeti. Kuqeblutë e nisën me Migen Memellin, i cili u zëvendësua nga Qatip Osmani, i shkarkuar të mërkurën në mbrëmje.

Megjithatë, Vllaznia tani ka gati emrin e trajnerit të tretë për këtë sezon dhe ai do të jetë gjermani, Thomas Brdaric. 49-vjeçari ka drejtuar shkodranët në 77 ndeshje midis 2020-22, ku fitoi dhe Kupën e Shqipërisë në sezonin 2020-21.

Në raportin e sezonit të kaluar të UEFA-s, “European Club Talent and Competition Landscape”, i cili ndër të tjera analizon edhe shkarkimet e trajnerëve, Superiorja ishte ndër ligat me numrin më të lartë të largimeve nga pankinat.

Sezonin e kaluar pati 21 shkarkime në Superiore, ndërsa aktualisht numri shkon në 17. Një përfundim pozitiv, por gjithsesi mbetet ende i lartë duke qenë se liga përbëhet vetëm nga 10 skuadra. Vetëm dy prej të cilave nuk kanë kryer asnjë shkarkim.

Në “5 ligat” e mëdha të futbollit sezonin e kaluar, Anglia dhe Franca panë numrin më të madh të shkarkimeve (22), të ndjekura nga Italia (14), Spanja (13) dhe Gjermania (12). Vetëm Bundesliga dhe Ligue 1 kanë nga 18 skuadra, pasi të tjerat kanë nga 20, dyfishin e Superiores.

Me katër javë të mbetura deri në fund të sezonit të rregullt të Superiores, nuk mund të përjashtohen shkarkime të tjera në radhët e trajnerëve.

Megjithatë, gjithçka mbetet të shihet deri në fund, por Superiorja e ka forcuar statusin e saj si një ligë e paduruar me trajnerët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore