Boterori 2022

Portugalia eliminon Zvicrën dhe gjen një tjetër Ronaldo


Portugalia është ekipi i fundit që kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Botës, teksa në fazën e 1/8-ve eliminuan Zvicrën, duke e mposhtur me rezultat 6:1.

Në këtë triumf të portugezëve, ishte “zëvendësuesi i Ronaldo-s” Goncalo Ramos, që shkëlqeu duke shënuar tre gola.

Ndeshja nisi që në fillim me një ritëm të lartë të portugezëve, derisa zvicëranët arritën të rezistonin deri në minutën e 17-të.

Ramos e hapi serinë e golave, duke realizuar një gol shumë të bukur në hyrje të zonës, pas asistimit të Joao Felix.

Goli i dytë i portugezëve erdhi në minutën e 33-të, kur veterani, Pepe, shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi të Bruno Fernandes-it.

Me epërsi të dyfishtë u mbyll pjesa e parë, derisa në të dytën portugezët u treguan të papërmbajtshëm, duke shënuar edhe katër gola të tjerë.

Ramos gjeti golin e tij të dytë personal në këtë ndeshje në minutën e 51-të, derisa katër minuta më vonë shënoi edhe anësori i Dortmund-it, Raphael Guerreiro, i cili realizoi një super-gol.

Tre minuta më vonë, zviceranët e ngushtuan paksa epërsinë me golin e Manuel Akanji.

Megjithatë, pesë minuta pas këtij goli, sulmuesi i Benfica-s, Ramos, e shënoi edhe golin e tij të tretë personal në këtë ndeshje për rezultatin 5:1.

Krejt në fund të ndeshjes, pati vend edhe për spektakël të yllit të Milan-it, Rafael Leao-s.

Vetëm pesë minuta pasi hyri në lojë, Leao realizoi super-gol për rezultatin përfundimtar 6:1.

Portugalia në çerekfinale do të ndeshet me Marokun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore