Lajme

Policia publikon dokumentet e falsifikuara ku janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë: Kemi nisur hetimet


Policia e Kosovës publikon dokumentin e falsifikuar.

Policia e Kosovës, sërish ka reaguar ndaj shpërndarjes së disa e-maileve të ndryshme që përmbajnë informacione dhe dokumente të falsifikuar e që pretendohet se i përkasin këtij institucioni.

Përmes një komunikate për media nga PK-ja është kërkuar që të mos bien pre e këtyre dokumenteve, duke sqaruar se nuk janë zyrtare nga Policia edhe pse në to ka emra të zyrtarëve të lartë.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL, kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”.

“Siç e kemi theksuar në sqarimin e parë, tani edhe në sqarimin e dytë e ri-theksojmë se, në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, janë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”, është thënë nga Policia.

Tutje është thënë se po bëhen publike edhe dokumentet në mënyrë që të mos krijohet panik tek qytetarët.

“Me qëllim që të sqarohet opinioni dhe personat të cilët mund të pranojnë ndonjë e-mail apo dokument të tillë, Policia e Kosovës i bën publike këtë dokument të falsifikuar dhe formën e e-malit po ashtu të falsifikuar, të cilat i gjeni të bashkangjitura, me qëllim që të mos krijoj shqetësime të panevojshme te qytetarët”.

Ndërsa, është sqaruar se ky rast është duke u hetuar nga ta.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth qarkullimit të e-mailave/dokumenteve të tilla, dhe vazhdimin e shpërndarjes së tyre, me kohë ka filluar hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale”.

Policia ka kërkuar se kushdo që mund të pranoj ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së  [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

Edhe me 17 korrik Policia e Kosovës, kishte reaguar ndaj shpërndarjes së disa e-maileve të ndryshme që përmbajnë informacione dhe dokumente të falsifikuar e që pretendohet se i përkasin Policisë së Kosovës.

Dokumente të falsifikuara po shpërndahen me pretendimin se i takojnë Policisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore