Lajme

Dokumente të falsifikuara po shpërndahen me pretendimin se i takojnë Policisë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka reaguar ndaj shpërndarjes së disa e-maileve të ndryshme që përmbajnë informacione dhe dokumente të falsifikuar e që pretendohet se i përkasin Policisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media nga PK-ja është thënë se nuk janë dokumente zyrtare të Policisë.

“Shpërndarja e këtyre e-mailave, kinse janë e-maila zyrtar të lëshuar në emër të zyrtarëve të lartë të PK-së, përfshirë edhe një dokument që përmban logo të PK-së, logo qeveritare, vule të ndryshme dhe një mbishkrim të EUROPOL”.

“Kinse janë lëshuar me qëllim të njoftimit të palës së caktuar për urdhër gjykate, nuk janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-maila dhe dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara”.

Nga Policia është thënë se edhe në dokumente edhe në e-mail kanë përdorur emra të zyrtarëve të lartë, por që nuk kanë përmbajtur format dhe shkrim zyrtar të PK-së.

“Në e-mailin dhe dokumentin e falsifikuar, kanë përdorur emrat e zyrtarëve të lartë të PK-së dhe logot e ndryshme, por se ri potencojmë se nuk janë dokumente zyrtare, nuk përmbajnë formatin dhe shkrimin zyrtar të PK-së, si dhe nuk janë lëshuar nga adresat zyrtare të Policisë së Kosovës”.

Po ashtu, është thënë se kanë nisur hetimet intensive duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Ndërsa, Policia ka bërë thirrje tek qytetarët që të mos bien pre e dezinformacioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore