Kosova

Policia e Kosovës jep detaje rreth atentatit në Leposaviq


Ilustrim

Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka dhënë detaje lidhur me tentimvrasjen e anëtarit të Iniciativës Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë (GI SPO), Marko Jabllanoviç, mbrëmjen e së dieles në Leposaviq – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Deri sa ishte duke hyrë në një lokal kishte vërejtur afër tij një person të maskuar me një armë në dorë të cilën ia kishte drejtuar viktimës, por nuk kishte arritur të gjuante. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”.

Zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radomiroviç, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, ka thënë se në rast është i përfshirë edhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, përgjegjës për organizimin dhe kryerjen e sulmit të armatosur në Banjë të Zveçanit.

“Ngjarja tragjike s’ka ndodhur ngase sulmuesit i kishte dështuar arma e tipit ‘Scorpion’. Nuk ka dyshim se pas atentatit qëndron regjimi i Beogradit dhe Radoiçiçi e kaubojët vendas – Sllavko Simiç e Zoran Todiç… Dihet gjerësisht se unë e Marko e mbështetëm Aleksandar Jabllanoviçin për t’i sjellë ndryshimet e nevojshme në Leposaviq”, ka shkruar zëvendësministri.

“Në takimin e fundit me Jabllanoviçin na paralajmëruan se jemi në rrezik sepse punojmë kundër interesave të regjimit… U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i kundërvihen kaubojve vendas dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet dhe shantazhet”, ka shtuar ndër të tjera Radomiroviç.

Edhe në të kaluarën, në këtë pjesë të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë, ka pasur incidente të ngjashme. Përkundër se situata në pjesën veriore është më e qetë pas ngjarjeve të 24 shtatorit të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore