Lajme

Për “kthimin e trurit” në Kosovë, Kurti kërkon ndihmën e Norvegjisë


Kurti në takim me me drejtoreshën për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Kristin Melson

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me drejtoreshën për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Kristin Melson, ka kërkuar ndihmën e kësaj të fundit për “Fondin e Ekselencës” që qeveria e Kosovës do ta themelojë enkas si mekanizëm për “kthimin e trurit”, pra kthimin e kosovarëve të kualifikuar nga diaspora.

Kryeministri Kurti, gjatë takimit është lavdëruar për përfitimin e gjithmbarshëm të qytetarëve kosovar nga zgjedhjet parlamentar të 14 shkurtit.

“Tashmë kemi stabilitet dhe legjitimitet në institucionet tona, por edhe besueshmëri të lartë qytetare, çka ka kontribuar në rritjen e investimeve, rritjen e të hyrave dhe ekonomisë dhe si rezultat edhe rritjen e punësimit”, ka thënë Kurti

“Qytetarët duan zhvillim, por edhe drejtësi, prandaj këta indikatorë pozitiv të ekonomisë duhet të shoqërohen me indikatorë pozitiv edhe në drejtësi, e cila duhet të jetë efikase”, ka vazhduar ai.

Në këtë takim ku pjesëmarrës ishin edhe Përfaqësuesi Special i Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor dhe Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl, u bisedua edhe për gjendjen e mirë me pandeminë.

“Në kohën kur i gjithë rajoni po përjeton një fluks të rasteve të reja, Kosova po dëshmon se ka menaxhuar mirë pandeminë, duke ruajtur edhe shëndetin e qytetarëve edhe të ekonomisë”, ka shtuar ai.

Duke folur për çështjet rajonale dhe dialogun, kryeqeveritari ka potencuar se Kosova është kontribuese e paqes dhe sigurisë në rajon. Ai ritheksoi përkushtimin për bashkëpunim e integrim ekonomik brenda agjendës evropiane dhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore