Lajme

Peci i shkon në zyrë kryetarit të ri të Leposaviqit: “There is a new sheriff in town”


Faton Peci, Lulzim Hetemi dhe Blerim Gashani

“There is a new sheriff in town”.

Me këtë idiomë amerikane, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, njoftoi se bashkë me zëvendësministrin e  Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, i ka shkuar të dielën në zyrë kryetarit të ri të Leposaviqit, Lulzim Hetemi, për t’ia uruar detyrën e re dhe për t’i ofruar mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

“Si Ministër i Bujqësisë, i tregova kryetarit Hetemi për planet e projektet shumëmilionshe për bujqësinë të Ministrisë që unë udhëheq për qytetarët e komunës që ai udhëheq, pa asnjë dallim përkatësie etnike e tjetërfare”, shkroi Peci në llogarinë e tij në “Facebook”.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan.

Megjithatë, ministri Peci ka vendosur të përdorë formulimin “There is a new sheriff in town”, që i referohet një situate të ilustruar në filmat “western”, ku zbatimi i mëparshëm i ligjit ishte i dobët dhe i lejonte kriminelët të operonin pa pengesa, ndërsa ardhja e “sherifit të ri” ua ndërpret këtë praktikë.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ta ndryshojë kursin, ngase “do të ketë pasojë pasoja për marrëdhëniet tona dyplaëshe” dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do t’i ndezë tensionet dhe do ta nxisë konfliktin.

Bashkimi Evropian gjithashtu ka dënuar ashpër tensionet e reja në veri të Kosovës dhe ka shprehur qëndrimin se më nuk do të pranojë “asnjë veprim të njëanshëm ose provokues”, ndërsa u ka bërë thirrje të gjitha palëve që menjëherë, të ndërmarrin veprime në funksion të shtensionimit të situatës dhe të rivendosjes së qetësisë.

Situata politike në katër komunat e veriore të Kosovës është sfidë që shkon përtej parimeve kushtetuese e ligjore të Kosovës. Kryetarët e zgjedhur janë optimistë se kanë “kapacitet dhe kompetenca” për t’iu përgjigjur qytetarëve. Por, qeverisja në veri, përkundër fitores në zgjedhje do të jetë mjaft sfiduese.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore