Lajme

PDK: Qeveria Kurti ka dështuar në garantimin e sigurisë kombëtare


Besa Kabashi-Ramaj

Koordinatorja e Departamentit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka thënë se kjo qeveri ka treguar udhëheqje “joadekuate” ndaj sigurisë kombëtare.

Këto komente, Kabashi-Ramaj i bëri në një konferencë për media nga selia e PDK-së, ku theksoi se qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti “i mungon vizioni dhe aftësia kryesore drejtuese të cilat janë thelbësore për garantimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e qëndrueshëm të mbrojtjes së vendit”.

“Qeveria ka dështuar të përgjigjet efektivisht për çështjet e sigurisë së brendshme, duke përfshirë integrimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e qëndrueshmërinë kombëtare dhe përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe sistemeve të paralajmërimevetë hershme të katastrofave natyrore”, tha ajo.

Anëtarja e kryesisë së PDK-së deklaroi se gjatë gjithë mandatit të kësaj qeverie ka pasur “dështim konstant në krijimin e një vizioni të sigurisë kombëtare”.

“E dyta është keqmenaxhimi dhe tendencat populiste të qeverisë të cilat janë kërcënim për sigurinë kombëtare. Deri më tani qeveria ka favorizuar lëvizje populiste mbi planifikimin strategjik të sigurisë…”, shtoi.

Ajo vlerësoi se hartimi i strategjisë së sigurisë kombëtare “është dëmtuar rëndë nga vlerësimet e vjetruara të sigurisë, mungesa e kostimit dhe prioritizimi i dobët”.

“Iniciativat legjislative si projektligji për Inteligjencën Ushtarake dhe projektligji i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shfaq të meta të rëndësishme, duke treguar një mospërfillje të strukturave ekzistuese dhe një qasje alarmante për shpërbërjen e institucioneve tashmë ekzistuese dhe rindërtimin nga e par”, theksoi Kabashi-Ramaj.

Ajo ka rekomanduar që të rishikohet në tërësi Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, sepse “rrezikon të çmontojë strukturat ekzistuese ligjore, duke dërguar në humbjen e kujtesës institucionale dhe duke shkelur potencialisht të drejtat e punonjësve, sepse mund t’i japë kryeministrit kontroll të tepruar”.

“Struktura e detajuar mund të sjellë pengesa burokratike, veçanërisht në raste emergjence. Takimet e rralla mund të pengojnë përgjigjet në kohë ndaj kërcënimeve të sigurisë. Paqartësitë ligjore mund të lindin nga  dyfishimet me ligjet ekzistuese dhe shfuqizimi i ligjit të mëparshme. Mandati i kufizuar për Drejtorin e Përgjithshëm mund të ndikojë negativisht në planifikimin strategjik dhe stabilitet. Sanksionet disiplinore në projektligj mund të jenë subjekt i keqpërdorimit ose aplikimit subjektiv”.

Sa i përket Projektligjit për Inteligjencën Ushtarake, Kabashi-Ramaj, tha se deklaratës së misionit i mungon qartësia, duke çuar në konfuzion rreth objektivave të agjencisë.

“Struktura raportuese ka të meta, duke dështuar në pozicionimin e duhur të FSK-së në zinxhirin komandues. Autorizimi i përdorimit të forcës është i diskutueshëm dhe potencialisht i papërshtatshëm. Dispozitat e mbikëqyrjes brenda kufijve të vendit mund të cenojnë liritë civile. Ka dyfishime me detyrat që tashmë ka AKI.  Përjashtimi i buxhetit të Operacioneve Speciale nga rregullat standarde financiare ngre shqetësime për transparencën”, theksoi ajo.

Kabashi-Ramaj pohoi se Kosova është e qytetarëve të saj, dhe si e tillë meriton një të ardhme të sigurt dhe shpresëdhënëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore