Lajme

PDK-ja kërkon që mazhoranca të reflektojë karshi kërkesave të Policisë së Kosovës


Abelard Tahiri

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të reflektojë karshi kërkesave të Policisë së Kosovës, Zjarrfikësve, karshi kërkesave të veteranëve.

Ky reflektim, sipas Tahirit, mund të ndodhë gjatë amandamentimeve që po bëhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës nëpër Komisione.

“Kur jemi në lexim të dytë të Buxhetit të Republikës së Kosovës, i kërkojmë mazhorancës që të reflektojë karshi kërkesave të Policisë së Kosovës, dhe kur ta kemi ditën e enjte pas 2 jave në votim Buxhetin e Kosovës atëherë këto kërkesa si të Policisë si të kategorive të tjera sociale të përmbushën, sepse janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha ai.

Sipas tij Qeveria e Kosovës nuk duhet vetëm të thur lavde Policisë së Kosovë, por edhe t’i plotësojë kërkesat e tyre.

“Nuk mund t’i thurim lavde Policisë së Kosovës, përtej lavdeve duhet të bëjmë veprime konkrete”.

Ndryshe Njësia Speciale Intervenuese (NJSI/FIT) në kuadër të Policisë së Kosovës do të protestojë sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për shkak të mospërmbushjes së kërkesave rreth përmirësimit të kushteve të punës nga Qeveria e Kosovës.

Protesta e pjesëtarëve të NJSI/FIT është planifikuar të mbahet më 9 dhjetor të këtij viti në qendër të kryeqytetit.

Megjithatë, në këtë protestë, përveç njësiteve speciale, pritet të marrin pjesë edhe pjesëtarët e departamenteve tjera të Policisë së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e Departamentit të Hetimeve dhe rendit publik. Protesta pritet të mbahet javën e dytë të dhjetorit duke filluar nga ora 12:00 në mesditë.

Kjo është hera e dytë që njësitet e specializuara në Policinë e Kosovës detyrohen të shprehin paknaqësitë e tyre në rrugë. Krejt kjo situatë për shkak se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dështuar t’u ofrojë një rrugëdalje njësiteve elitare të Policisë së Kosovës, duke treguar moskokëçarje për kërkesat konkrete të kësaj kategorie shoqërore.

NJSI-ja dhe shumë njësi të tjera prapë në protestë, kryeministri ua refuzoi kërkesat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore