Shqipëria

Pashkët Ortodokse sjellin fluks në pikat kufitare, dhjetëra mijëra kalime në 24 orë drejt Greqisë


Pushimet e Pashkës Ortodokse kanë sjellë një fluks të ndjeshëm lëvizjesh në pikat jugore kufitare të vendit, kryesisht ato me Greqinë, ku ka pasur dhjetëra mijëra kalime në 24 orët e fundit.

Kryesisht, janë shtetasit shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj, ata të cilët janë kthyer për të festuar Pashkën me familjarët në atdhe.

Kështu, sipas raportimeve nga pikat e kalimit kufitar, në doganën e Kakavijës, janë shënuar 11 mijë e 450 shtetas në hyrje-dalje të vendit, nga të cilët 7 mijë e 150 ishin hyrje dhe 4 mijë e 300 dalje.

Në tërësi në këtë doganë kanë hyrë 2 mijë e 160 mjete dhe kanë dalë 1 mijë e 104.

Në Kapshticë, ka pasur 6 mijë e 942 hyrje në vend dhe 3 mijë e 274 dalje.

Po ashtu, edhe në Qafë Thanë, ka pasur fluks të shtuar, me 4 mijë e 70 hyrje dhe 3 mijë e 712 dalje.

Probleme nuk janë raportuar deri tani, duke parë edhe punën me sportele të shtuara kur është pasur nevoja për një masë të tillë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore