Lajme

Osmani udhëton javën e ardhshme në SHBA – merr pjesë në varrimin e Albright


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo do të marrë pjesë në varrimin e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Presidentja Osmani do të udhëtoj për SHBA në fillim të javës që vjen për të marrë pjesë në varrim të Sekretares Albright, me ftesë të familjes Albright”.

Përveç kësaj Kupina shton se Osmani do të marrë pjesë edhe në “disa takime të tjera”.

E premtja e 25 marsit, ishte shpallur ditë zie në Kosovë në nderim të ish-Sekretares së Amerikës, Madeleine Albright, më 23 mars.

Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur në moshën 84 vjeçare.

Vdekja e saj u konfirmua përmes një deklarate zyrtare nga familjarët e Albright ku mes tjerash thuhet se shkaku i vdekjes ishte kanceri.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton.

Ajo së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomate e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright, nxiti që NATO të ndërhynte në Kosovë për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, e shkaktuar nga regjimi i Millosheviç-itAlbright, ishte e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serbs, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Albright në vizitën e saj të fundit në Kosovë, në manifestimin qendror për nder të 20 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë më 12 Qershor 1999, kishte deklaruar se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

Madeleine Albright në Prishtinë më 12 Qershor 2019

Gjatë fjalimit në Prishtinë më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se fitorja erdhi për shkak të kauzës së drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës.

“Nuk ishte vendim i lehtë siç mund ta imagjinoni dhe për këtë kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton donte të bindej se Kosova ishte e sigurt. Dhe në një mbrëmje kur filluan bombardimet ai më telefonoi në mesnatë dhe më tha ‘Madeline, avionët u kthyen, ne po bëjmë punën e duhur ne po bëjmë gjënë e duhur’ dhe unë i thash ‘po, zotëri president ne po bëjmë gjënë e duhur’”, kishte kujtuar Albright.

Për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, më 2019, u zbulua në Prishtinë edhe busti për nderë të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore