Lajme

Kosovë: Ditë zie në nderim të ish-Sekretares amerikane Madeleine Albright


Ish-Sekretarja e Shtetit Amerikan, Madeleine Albright

E premtja e 25 marsit është shpallur ditë zie në Kosovë në nderim të ish-Sekretares së Amerikës, Madeleine Albright, e cila ndërroi jetë dy ditë më parë më 23 mars.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka shpallur këtë ditë – ditë zie, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

“Për shkak se ka ndërruar jetë Madeleine Albright e cila ka dhënë kontribut që s’do ta harrojmë si popull për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, presidentja e ka shpallur ditë zie të premten, dhe në konsultim me kryetarët e grupeve parlamentare këtë seancë e zhvendosim për ditën e hënë”, ka thënë Konjufca.

Flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.

“Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje”, ka thwnw Presidentja e Kosov%s, Vjosa Osmani.

“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviçit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, përfundoi Osmani.

Në ora 19:30 do të ndizen qirinj në shenjë mirënjohje dhe kujtimi për të.

Qirinjtë do të ndizen te busti i sajë afër Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Busti i ish-Sekretares amerikane, Madeleine Albright në Prishtinë

Në qershor 2009 një grup i historianëve të Muzeut të Kosovës realizuan një vizitë studimore në Amerikë, ku përveç shqiptaro amerikanëve, takuan edhe Ish-Sekretaren Madeleine Albright, Ish-Presidentin Bil Clinton, Gjeneralin Wesley Clark dhe disa figura të rëndësishme, nga të cilët kanë marrë gjëra personale të tyre, për t’i ruajtur si relikte në Muzeun e Kosovës.

Nga ish-Sekretarja Albright delegacioni i muzeut ka marrë një kapelë dhe dy brosha të personale të sajë të cilat ruhen me shumë dashuri e fanatizëm në hapësirat e Muzeut të Kosovës.

Mikja e madhe e Kosovës do jetojë përgjithmonë në mendjet e shqiptarëve.

Busti i saj është vendosur në Prishtinë si shenjë respekti për insistimin e saj për të intervenuar NATO-ja në Kosovë.

Skulptori Luan Mulliqi që e bëri bustin Albright, tregon se si i kishte dukur të ndjerës punimi.

Kanceri u bë shkak për ndarjen nga jeta të ish sekretares së parë grua të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright, në moshën 84 vjeçare.

Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton.

Ajo së pari shërbeu si ambasadore e SHBA-ve në Kombet e Bashkuara përpara se të bëhej diplomate e lartë e vendit në mandatin e saj të dytë.

Albright, nxiti që NATO të ndërhynte në Kosovë për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik, e shkaktuar nga regjimi i Millosheviç-it

Ajo e shihte SHBA-në si “kombin e domosdoshëm” kur ishte fjala për përdorimin e diplomacisë të mbështetur nga përdorimi i forcës për të mbrojtur vlerat demokratike në mbarë botën.

“Ne qëndrojmë shtatlartë dhe shohim më larg se vendet e tjera në të ardhmen, dhe ne shohim rrezikun këtu për të gjithë ne,” tha ajo për NBC në 1998. “Unë e di se burrat dhe gratë amerikane me uniformë janë gjithmonë të përgatitur të sakrifikojnë për lirinë, demokracinë dhe mënyrën amerikane të jetesës”.

Albright, ishte e njohur për rolin e saj kyç në negociatat në Rambuje mes palës shqiptare dhe asaj serbs, që i paraprin fushatës së bombardimeve të NATO-s në Serbi.

Albright në vizitën e saj të fundit në Kosovë, në manifestimin qendror për nder të 20 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë më 12 Qershor 1999, kishte deklaruar se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

Gjatë fjalimit në Prishtinë më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se fitorja erdhi për shkak të kauzës së drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës.

“Nuk ishte vendim i lehtë siç mund ta imagjinoni dhe për këtë kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton donte të bindej se Kosova ishte e sigurt. Dhe në një mbrëmje kur filluan bombardimet ai më telefonoi në mesnatë dhe më tha ‘Madeline, avionët u kthyen, ne po bëjmë punën e duhur ne po bëjmë gjënë e duhur’ dhe unë i thash ‘po, zotëri president ne po bëjmë gjënë e duhur’”, kishte kujtuar Albright.

Për kontributin e saj për pavarësinë e Kosovës, më 2019, u zbulua në Prishtinë edhe busti për nderë të saj.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një fjalimi në Prishtinë, në 20-vjetorin e disklokimit të trupave të NATO-s në Kosovë

Albright, kishte vizituar Kosovën edhe në korrik të vitit 2005, ku kishte mbajtur edhe një fjalim në Kuvendin e Kosovës, tri vjet para pavarësisë së Kosovës.

“Miqtë tuaj besojnë se ju do të jeni të suksesshëm dhe do të shohim këtu, në Kosovë, formimin e një shoqërie i cili respekton të drejtat e të gjithëve dhe i cili ka fituar respektin e popujve dhe qeverive në çdo skutë të botës”, kishte potencuar ajo.

“Ju falënderoj edhe një herë për mikpritjen dhe vëmendjen tuaj. Dhashtë zoti që Kosova të prosperojë dhe të jetojë përgjithmonë në liri dhe paqe”.

Zbulimi i shtatores së Madeleine Albright në Prishtinë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore