Lajme

Osmani takohet me kryediplomatin suedez, i kërkon mbështetje për anëtarësim e Kosovës në BE


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ministrin për Punë të Jashtme të Suedisë, Tobias Billstrom, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e shtetit suedez ndaj Kosovës që nga vitet e 90-ta, në procesin e shtetformimit, shtetëndërtimit dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Sipas njoftimit për media nga zyra e Osmanit, presidentja ka theksuar se me liberalizimin e vizave për Kosovën, mori fund padrejtësia ndaj qytetarëve të Kosovës.

Por, sipas saj,  synimi i Kosovës është që të bëhet edhe anëtare e familjes së madhe evropiane.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani kërkoi mbështetje nga ministri Billstrom që Suedia si kryesuese e Këshillit të BE-së, ta mbështes aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, i cili është orientim strategjik”, thuhet në njoftim.

“Mbështetja e Suedisë në këtë drejtim, sipas saj është thelbësore për të ecur përpara me procesin e anëtarësimit në BE, duke ia dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat”.

Ndërkaq në raport me procesin e dialogut me Serbinë, ajo theksoi se Marrëveshja e Brukselit, e trajton Kosovën dhe Serbinë si palë të barabarta në kontekstin e raporteve ndërshtetërore.

“Megjithatë, Presidentja Osmani ka potencuar se Serbia po vazhdon me obstruksione sa i përket zbatimit të marrëveshjes së arritur. Sipas Presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë të koordinohet me aleatët ndërkombëtar rreth zbatimit të Marrëveshjes dhe se është e përkushtuar për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore