Lajme

Osmani dhe ambasadori i ri i Suedisë diskutojnë për thellimin e raporteve në politikën e jashtme


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i ri i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të premten ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, të cilit i ka uruar mirëseardhje.

Sipas njoftimit të zyrës së Presidencës, raportet ndërmjet të dy shteteve janë vlerësuar të mira.

“Presidentja ka falënderuar shtetin e Suedisë për ndihmën e deritashme, duke kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, e sidomos për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Në këtë takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale politike në vend si dhe në rajon.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori i ri i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.

Ndërkaq, e para e vendit ka përsëritur qëndrimin se në dialogun me Serbinë, Kosova është palë konstruktive.

“Osmani ka përsëritur qëndrimin se në dialogun me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se ky proces duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidencës.

“Sipas Presidentes Osmani, vendimet e institucioneve të Kosovës janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe se institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtar”.

Temë diskutimi të dyja palët e kishin edhe thellimin e raporteve në sferën e politikës së jashtme, fuqizimin e demokracisë, sundimin e ligjit, barazisë gjinore dhe mbrojtjes së mjedisit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore