Kosova

Osmani dekreton Ligjin për rishikimin e buxhetit


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Buxheti i Kosovës për vitin 2021 tashëm ka marrë dekretin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Njoftimi për këtë vendim është bërë publik në faqen zyrtare të Presidencës “duke u bazuar në kompetencat kushtetuese të Presidentes”.

“Vulosjen ligjore” të Ligjit 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore, Presidenca e ka bërë publik këtë të enjte.

“Vjosa Osmani ka dekretuar shpalljen e Ligjit Nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 28.07.2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më 04.08.2021”, thuhet shkurtimisht në njoftimin zyrtarë në faqen online të Presidencës së Kosovës.

Ndërsa një ditë më parë, Presidentja Osmani, ka dekretuar edhe Ligjin mbi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Sipas njoftimit, “përmes Dekretit Nr. 113/2021, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-132 për Automjete, i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22 korrik të vitit 2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më dy gusht të po këtij viti”.

Presidentja Osmani ka dekretuar po ashtu edhe shpalljen e Ligjit Nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ”të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 22 korrik të vitit 2021 dhe i pranuar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, më dy gusht të po këtij vtiti”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore