Shqipëria

Një gjeneral për president, ndoshta


Numërimi mbrapsht po afron dhe i gjithë konfidencialiteti i ruajtur për emrin e presidentit të ri do të venitet me kalimin e orëve.

Mbledhja e Kryesisë së Socialistëve do të vendosë në gjysmën e dytë të 3 qershorit – një kandidat që do të prevalojë mbi dhjetëra propozime.

Burime pranë Albanian Post sigurojnë se kandidati potencial mund të jetë një figurë, e cila vjen nga radhët e hierarkisë ushtarake shqiptare.

Kujtojmë këtu emrin e Dritan Demirajt, i propozuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra”.

Koloneli i dekoruar ka vlerësuar tej mase propozimin e tij dhe është ndër të vetmit që ka shprehur përkushtim maksimal, në rast se do të votëbesohet.

Por, propozimi i Demirajt nuk gjen konfirmime për Albanian Post nga PS-ja.

Një emër i përkohë në orët e fundit është edhe ai i “kampionit të antikorrupsionit” – Ardian Dvorani.

Sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi, i konfirmoi pikërisht zërat për një figurë që u vlerësua nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe njëkohësisht Ambasada Amerikane në Tiranë.

Së fundi, mbetet edhe një thyerje e akullit mes PS-së dhe PD-së, duke propozuar një grua që do të mirëpritej nga të dyja kampet – Majlinda Bregu.

Të tria figura dinjitoze, të cilat janë promovuar publikisht, por jo nga vetë kryetari i socialistëve Edi Rama.

Kryeministri ka qenë fare i qartë – presidenti i ri nuk do të dalë nga radhët e socialistëve dhe do të votohet edhe nga vetë demokratët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore