Shqipëria

Nis vaksinimi i personaliteteve mbi 80 vjeç


Këtë të dielë, më 21 shkurt, ka nisur procesi i vaksinimit te stadium “Air Albania”, në kryeqytet.

Ashtu siç ishte njoftuar nga kryeministri, vaksinimi ka nisur me disa personalitete të moshës 80 vjeç e sipër.

Gati për të marrë vaksinën kundër coronavirus-it janë bërë  personalitetet si: Tinka Kurti,  Aleksandër Meksi, Sherif Merdani, Dhimitër Anagnosti, Aleksandër Moisiu dhe Margarita Xhepa.

Rama e ceku çështjen e vaksinimit të personaliteteve, duke iu përgigjur kritikave të opozitës dhe Presidentit, Ilir Meta.
Kryeministri u shpreh se nuk ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo stuhi, pasi këta personalitete i kanë dhënë vlera shoqërisë sonë.

Të pranishëm në ambjentet e Air Albania janë edhe Kryeministri  i Shqipërisë, Edi Rama bashkë me Ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.

Ata u takuan me personalitetet e vaksinuara sot.

Fjala e kryeministrit Rama

Do të vazhdojmë me më të moshuarit dhe pastaj me këto kategori, iu përgjigj Rama pyetjes për nisjen e vaksinimit të mësuesve.

“Rëndësi ka që me dozat që kemi në dispozicion do të përfundojmë plotësisht vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve”, shtoi ai.

Rama nënvizoi se po punojnë çdo moment për të garantuar më shumë doza dhe sa më shpejt. Kryeministri pohoi se është optimist se i gjithë procesi i vaksinimit do të mbarojë brenda 14 muajve.

“Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do ja dalim për skenarin e vaksinimit për 14 muaj. Është një ambicie e madhe”.

Kryeministri Rama foli edhe për vaksinat e tjera ruse apo kineze.

“Dua t’iu them disave që thonë ‘shkoni e merrini nga Kina, jepni lekët’. Nuk kanë nxjerrë tezga dhe o burra kush shkon t’i marrë. E vërteta është se nuk ka vaksina. Ne jemi besimplotë se do të kemi një qartësi shumë shpejt dhe një bazë të gjerë dozash”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore