Lajme

Nis furnizimi me ujë në Deçan – por jo për pije


Komuna e Deçanit

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka njoftuar se do të jetë në funksion ujësjellësi për fshatrat e komunës së Deçanit, pasi u ndërpre për shkak të dyshimeve se mbi 1 mijë qytetarë janë helmuar pas pirjes së ujit.

Ramosaj thotë se këtë vendim e kanë marrë pas takimit me Shtabin për Menaxhimin e Emergjencave dhe me rekomandimet e Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

“Luten të gjithë̈ qytetarët e Komunës së Deçanit të zbatojnë̈ kriteret e për përdorimin e ujit.

I pari i kësaj komune ka kërkuar që uji të shfrytëzohet vetëm për nevoja santiare dhe për nevoja të amvisërisë̈ rekomandohet të përdoret vetëm pasi të vlohet”, ka shkruar Ramosaj në Facebook.

Ai ka thënë se “këto kritere zbatohen deri në një vendim tjetër”.

Komuna e Deçanit në Kosovë ka shpallur gjendje emergjente në gjithë territorin e Komunës së Deçanit, pas qindra rasteve të qytetarëve që janë helmuar nga uji i pijshëm.

Në vendimin që e ka marrë kjo komunë thuhet se “obligohen të gjitha institucionet e nivelit lokal për ngritjen e gatishmërisë për menaxhimin e kësaj situate emergjente të ndodhur pas helmimit të fundit”.

Gjatë ditës, udhëheqësit e institucioneve që kanë vizituar pacientët e shtrirë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, kanë bërë thirrje për hetim sa më të shpejtë të këtij rasti.

Paraprakisht sipas të dhënave zyrtare, shqetësime u shfaqën nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Shëndetësisë, nga dita e shtunë e deri më sot në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan kanë kërkuar ndihmë shëndetësore rreth 1 mijë pacientë, ndërsa qindra prej tyre i kanë simptomat e njëjta të helmimit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore