Përballje

NBA: Bucks dyfishojnë epërsinë ndaj Heat, Nuggets barazojnë serinë e ndeshjeve ndaj Blazers


U zhvilluan edhe dy ndeshjet e raundit të parë të fazës play-off në NBA, mes Milwaukee Bucks e Miami Heat si dhe Denver Nuggets me Portland Trail Blazers.

Milwauke Bucks e mposhtën Miami Heat me rezultat të thellë 132:98, kështu duke e thelluar epërsinë në 2:0.

Skuadra e Bucks e dominoi në tërësi ndeshjen, ku gjashtë basketbollistë të tyre arritën të shënojnë pikë dy-shifrore.

Më të dalluarit te Bucks ishin Giannis Antetokounmpo, me 31 pikë dhe 13 kërcime, Bryn Forbes me 22 pikë dhe Khris Middleton me 17 pikë.

Në radhët e Miami Heat, më të dalluarit ishin Dewayne Dedmon me 19 pikë, ndërsa Groan Dragic nuk mundi të jepte kontribut më të madh se 18 pikë.

Nëse Bucks thelluan epërsinë ndaj Heat, ndodhi e kundërta në duelin Denver Nuggets- Portland Trail Blazers.

Skuadra nga Colorado triumfoi me rezultat 128-109, duke barazuar serinë e ndeshjeve në 1:1.

I papërmbajtshëm me 38 pikë Nikola Jokic, ndërsa Paul Millsap i cili ishte në pankinë, dhuroi 15 pikë dhe Aron Gordon shënoi 13 pikë.

Në radhët e Blazers, ishin fantastikë dyshja Lillard dhe Mc Collum që shënuan 63 pikë në total, por yjet e skuadrës nga Oregoni ishin disi të vetmuar, pasi nuk morën mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e ekipit.

42 pikë dhe 10 asiste, ishin këto shifrat e Lillard, ndërsa CJ McCollum kontribuoi me gjysmën e pikëve të realizuara nga shoku i tij i skuadrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore