Lajme

Musliu kërkon dorëheqjen e Sveçlës dhe Mehmetit pas arrestimeve të shumta të zyrtarëve policorë


Ganimete Musliu

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, përmes një statusi në rrjetin e saj social në Facebook, ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kjo për të vetmen arsye – arrestimet e shumta të pjestarëve të policisë së Kosovës nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Musliu, konsideron që pas gjithë këtyre arrestimeve nuk ka kuptim që Sveçla dhe Mehmeti të ushtrojnë detyrat e tyre.

“Pas arrestimit të numrit të madh të policëve, nuk ka më kuptim që edhe më tutje të ushtrojnë detyrën e tyre, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Dorëheqja e tyre do t’i bënte nder Policisë së Kosovës, Kosovës dhe vet Mehmetit e Sveçles”, ka shkruar Musliu në Facebook.

Pamje nga aksioni i IPK-së

Ndryshe, të shtunën e 8 prillit IPK në koordinim me Prokurorinë Speciale kanë ndërmarrë një operacion hetimi rreth dyshimit për përfshirje në aktivitetet të kundërligjshme, të një numri të zyrtarëve policorë.

Operacioni i titulluar “Pika 2” përfundojë me arrestimin e 26 zyrtarëve policorë, ku dy prej tyre ishin rreshterë.

Zyrtarët policorë të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfetit, me rekomandim të IPK-së janë suspenduar nga detyra.

Ky është aksioni i dytë që u zhvillua brenda pak javësh për korrupsion në pikat kufitare të Kosovës.

Në aksionin e parë të IPK-së i koduar me emrin “Pika 1” ishin arrestuar 48 zyrtarë policorë dhe dy doganierë. Ata ishin dërguar në mbajtje me vendim të gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore