Shqipëria

Rezoluta për antikorrupsionin kaloi, “përshpejtimi i mazhorancës dhe hipokrizia e opozitës”


76 vota pro, dy kundër, dhe pjesa tjetër nuk mori pjesë.

Ky ishte rezultati i shënuar një ditë në parë në miratimin e rezolutës së propozuar nga socialistët për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

Përpos thirrjes së mazhorancës, rezoluta nuk rrëmbeu asnjë votë të opozitës (ku të gjitha fraksionet dhe partitë politike u bënë bashkë në braktisje të votimit).

Përjashtuar këtu dy deputetët demokratë, Agron Shehaj dhe Dashnor Sulaj, të cilët e përdorën fuqinë e kartonit për të votuar kundër.

Seanca plenare rrodhi ashtu si zakonisht, një prezantim, disa akuza, kundërakuza, dhe miratim të mazhorancës (pa u munduar shumë).

Të paktën kështu mendojnë analistët politikë, të cilët në qëndrimet e tyre bien dakord se ishte një procedurë e nxituar.

Kjo në një kohë kur Perëndimi me përfaqësinë e tij në vend kishte bërë thirrje të shpeshta që e gjitha të shihej me kujdes dhe të kishte përpjekje për votim të përbashkët.

“Problemi i kësaj rezolute qëndron në shpejtësinë rrufe që po e bëjnë këta dhe paqartësitë që janë në këtë rezolutë”, shprehet analisti, Kreshnik Spahiu, në një dalje publike pas miratimit.

Spahiu thekson se e gjitha kjo lë vend për hapësira edhe në hapat e mëtejshëm.

Hapësira që do gjejnë ose jo mbushje në ditët në vijim, kur edhe të ngrihet një Komision i Posaçëm (për të cilin ende nuk dihet asnjë saktësim).

Por, analisti Neritan Sejamini, shprehet se ky Komision “do të rishikojë shumë institucione të pavarura, të gjejë probleme dhe do të vijë me reformë të re, që do të reformojë shtetin shqiptar për ta bërë gati për t’u futur në BE në vitin 2030”.

Sipas tij, në këtë mënyrë nisi edhe Reforma në Drejtësi.

Sejamini në vazhdën e mendimit të tij për ngritjen e Komisionit hedh dyshime edhe për një “kontroll të drejtësisë”.

“Pra, zoti Rama do të bëjë disa gjëra. Do që mandati i kryetarit të SPAK të kalojë në dy, pra ai që të vijë pas Dumani të rrijë gjashtë vjet dhe jo tre. E dyta, ai do të ndajë termin që nëse bëhet fjalë për shpërdorim detyre pa dëme financiare, të hetohet nga prokuroritë e rrethit. Pra vetëm kur shkakton dëme nga shteti, të hetohet nga SPAK”.

Kështu sipas tij, Rama është “dhjetë hapa larg të tjerëve” dhe ka një projekt serioz për të fituar zgjedhjet.

Por krejtësisht ndryshe mendon analisti Julian Zylaj, i cili theksoi se nisma për të luftuar korrupsionin në Shqipëri vjen në kuadër të të qenit një vend që ende nuk i ka plotësuar kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Ky nuk është një sulm ndaj mekanizmave të drejtësisë për sa kohë që ka bashkëpunim mes tre pushteteve”.

Sa i takon elementetit të opozitës, analistët theksojnë se, ajo nuk ka një strategji, e madje po tregohet edhe hipokrite.

“Mungesa e sinqeritet është se nga njëra anë krijojnë aleancë, nga ana tjetër hapin shtegun, kishin hall se nëse do të votonin kundër do të thonin ambasadat”, thotë Spahiu referuar faktit që qëndrimi i opozitës ishte një distancim dhe jo një votë kundër.

Kjo me “frikën” e përplasjes me Perëndimin, i cili në fakt ende nuk e ka thënë fjalën e tij pas miratimit të rezolutës.

Nuk ka pasur asnjë deklaratë të përfaqësive kryesore të huaja në vend, pas votimit në Kuvend.

Fjalët kanë qenë të kursyera edhe para saj në fakt.

Ambasada amerikane edhe pse ka shprehur mbështetjen e saj në përpjekjen që e lidh Shqipërinë me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe antikorrupsion, ajo nxiti pjesëmarrjen e të gjitha palëve.

Gjë që në fazën e parë nuk u pa, qoftë edhe në formën e një përpjekje të sforcuar.

Ndoshta në hapat e mëtejshme do të kemi një “dorë” që do të sjellë një bashkëpunim mes palëve, për diçka më të madhe se interesat vetjakë, integrimi i vendit.

Rezoluta antikorrupsion kaloi mes debatesh, por çfarë parashikon?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore