Lajme

Taravari para fillimit të seancës konstituive: Ndryshimi erdhi


Arben Taravari

Për Arben Taravarin, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, “ndryshimi erdhi” në Maqedoni të Veriut.

Këto komente, Taravari i bëri përmes një postimi në Facebook, në prag të fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku pritet që Afrim Gashi, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, të zgjidhet në krye të këtij institucioni.

Gashi në këtë pozitë vjen pas marrëveshjes politike në mes të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “VLEN”.

“VLEN”, ndonëse ka humbur zgjedhjet parlamentare të 8 majit në kampin shqiptar ndaj “Frontit Evropian”, që udhëhiqet nga Ali Ahmeti, do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës me VMRO-në, që do të udhëhiqet nga Hristjan Mickoski.

Ndërsa, vetë Taravari – e pakonfirmuar zyrtarisht – pritet që të jetë Ministër i Shëndetësisë, të cilën e kishte udhëhequr edhe më herët, duke e lenë kështu drejtimin e Komunës së Gostivarit.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mban seancën konstituive, Afrim Gashi pritet të zgjidhet kryetar

Në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili numëron 18 deputetë, apo 4 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 14 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Përkundër se në kampin fitues është “Fronti Evropian”, VMRO-DPMNE-ja, si fituese në taborin maqedonas është duke e anashkaluar parimin e fituesit me fituesin (te shqiptarët dhe maqedonasit), duke bërë kështu koalicion me “VLEN”-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore