Lajme

Musk planifikon të përgjysmojë vendet e punës në Twitter


Elon Musk planifikon të shkurtojë rreth 3 mijë 700 vende pune në median sociale Twitter Inc ose me saktë gjysmën e fuqisë punëtore të kompanisë.

Kjo, si mënyrë për të ulur sa më shumë kostot.

Lajmi u raportua nga “Bloomberg News” të mërkurën e 2 nëntorit, duke cituar burime të brendshme të kësaj çështjeje.

Sipas raportit, pronari i ri i Twitter do të informojë brenda javës stafin e prekur nga ky shkurtim.

Në raport gjithashtu citohet se Musk synon të ndryshojë edhe politikat e mediave sociale dhe do të kërkojë që punonjësit të punojnë nga zyra, megjithëse mund të bëhen disa përjashtime.

Multibiliarderi prej pak kohësh ka marrë kontrollin e një prej platformave më me ndikim të mediave sociale në një marrëveshje 44 miliardë dollarësh.

Ai e ka shpërndarë bordin e Twitter-it dhe e ka bërë veten “drejtorin e vetëm” të kompanisë.

Musk e përmbylli më 28 tetor të gjithë procesin e blerjes së gjigandit të mediave sociale, Twitter.

Vendimi i parë si pronar i kompanisë ishte pushimi nga puna i drejtuesve ekzekutivë.

Mes drejtuesve më të lartë të Twitter, të cilët u pushuan nga puna, ka qenë edhe drejtuesi i kompanisë në vitet e fundit, Parag Agraëal, të cilët i ishin besuar vendimet kryesore të platformës.

Përtej Agraëal, edhe financieri kryesor i Twitter, Ned Segal si edhe drejtuesi juridik, Vijaya Gadde, u pushuan nga puna dhe në bazë të asaj çfarë njerëzit brenda zyrave kanë treguar, ata “u eskortuan jashtë godinës menjëherë pas lajmit se blerja u përmbyll”.

Marrë nga “Bloomberg News”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore