Lajme

Mungesë shprese ndër votuesit palestinezë në zgjedhjet izraelite


Teksa izraelitët shkojnë drejt qendrave të votimit për të zgjedhur parlamentin e ri për të pestën herë në më pak se katër vjet, gjithë vëmendja është te votuesit palestinezë.

Që nga prilli i vitit 2019, vendi është përballur me një krizë të zgjatur politike nga paaftësia e politikanëve për të formuar një qeveri të qëndrueshme.

Javën e fundit, sondazhet kanë treguar se pjesëmarrja e votuesve mes 1.8 milionë palestinezëve që jetojnë në Izrael pritet të jetë “historikisht e ulët”.

Kjo, pavarësisht se politikanët palestinezë këmbëngulin se një votë më e lartë e komunitetit mund të pengojë kthimin e ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu në pushtet.

Ende është e paqartë nëse ndonjë nga partitë palestineze do të mbledhë vota të mjaftueshme për të kaluar pragun prej 3.25 për qind të kërkuar për të hyrë në parlament.

Teksa fushata në qytetet palestineze brenda Izraelit intensifikohet, analistët, aktivistët dhe banorët ndjejnë një mungesë të përgjithshme motivimi për të votuar.

Megjithatë, ka edhe sondazhe që kanë treguar se pjesëmarrja e votuesve mund të rritet. Historikisht, pjesëmarrja e palestinezëve ka qenë 40 deri në 50 për qind.

Analisti Ameer Makhoul ka treguar se “ka një ndjenjë zhgënjimi dhe humbjeje, nuk ka interes për zgjedhjet”.

Në qershor të vitit të kaluar, pas dy vitesh bllokim politik, politikani izraelit i krahut të djathtë Naftali Bennett u bë kryeministër pasi arriti një marrëveshje koalicioni me centristin Yair Lapid.

Ai i dha fund sundimit rekord 12-vjeçar të liderit të Likud, Benjamin Netanyahu, i cili u dëmtua drejt fundit nga gjyqi i tij për korrupsion.

Dy javë e gjysmë më vonë, koalicioni i tyre i brishtë u shpërbë, Lapid mori detyrën nga Bennett si kryeministër në detyrë dhe zgjedhjet e së martës u caktuan.

Sakaq, në këto zgjedhje të fundit po konkurrojnë tre blloqe palestineze.

Lëvizja Arabe për Ndryshim e udhëhequr nga Ahmad Tibi dhe Fronti Demokratik për Paqe dhe Barazi i udhëhequr nga Ayman Odeh, kanë krijuar një aleancë, e njohur në hebraisht si lista Hadash-Ta’al.

Dy blloqet e tjera janë partia Balad ose Tajamu e udhëhequr nga Sami Abu Shehadeh dhe Lista e Bashkuar Arabe e udhëhequr nga Mansour Abbas.

Katër partitë palestineze garuan me sukses së bashku nën aleancën e Listës së Përbashkët në vitet 2015 dhe 2020, duke u bërë të dyja herët fraksioni i tretë më i madh në Knesset.

Por partitë palestineze kanë qenë gjithmonë në opozitë dhe janë të kufizuara në aftësinë e tyre për të sjellë ndryshim.

Kurse në partitë izraelite, pretendentët janë Likud e kryesuar nga Netanyahu, Yesh Atid me në krye Lapid dhe Partia e Unitetit Kombëtar, një aleancë e partive të Benjamin Gantz dhe Shpresa e Re e Gideon Sa’ar.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore