Libra

Mungesa e Dianës është prania më e madhe e ditarit të Harryt


Kujtimet e princit të familjes mbretërore britanike, Harry, janë një konglomerat ngjarjesh shënjuese, të cilat kalojnë prej humbjes së nënës së tij, princeshës Diana Spencer, në humbjen e besimit të familjes mbretërore apo deri edhe tek humbja e virgjërisë.

Zënkat me vëllain e tij të madh, Williamin, apo edhe përdorimi i drogave psikodelike dhe angazhimi në romanca, të cilat dalin tërësisht kundër kodit të familjes mbretërore, janë pjesë e gjithë narrativës, që princi i vogël i kurorës monarkike ndërton.

Seks, drogë dhe “rock and royals”.

Është mungesa më e madhe në jetën e tij, ajo e të ëmës, Diana Spencer, çfarë e mbush më së shumti gjithë kujtesën e Harryt.

Krejt i pakornizueshëm si pjesë integrale e një dinastie monarkësh, përkushtimi i tij për partneren, Meghan Markle dhe fëmijët, Archie dhe Lilibet, e bëjnë të duket më njerëzor.

Boshllëk tërësor për vëllain e tij William, të atin, Charles, apo gjysmë motrën, princeshën Catherine.

Ftohje e atillë, sa vdekjen e gjyshes së tij, mbretëreshës Elizabeth II, e mësoi prej medias shtetërore britanike, BBC.

Të hedhura në libër, kujtimet e tij nuk duhen marrë thjesht si kompulsionet e një princi që është larguar nga kurora, të cilën kurrë se ka dashur.

Megjithatë, nuk ka si të mos shkaktojnë zhurmë faqet që ai ka shkruar e ka publikuar, në një çast të tillë, kur gjendet larg familjes, me zgjedhjen e tij.

Mediat janë sy e veshë për atë çfarë ai përkujton gjatë fëmijërisë e adoleshencës, për rebelimin e një personi që nuk u drejtua kurrë as prej pushtetit në Buckingham Palace.

Kriza reale të panikut, siç shkruan vetë Harry, i ka kaluar përgjatë gjithë asaj kohe, me ankthin se duhet të mbante mbi supe diçka, të cilën nuk e dëshironte.

Ai, një njeri i lirë dhe jashtë protokollit, nuk e mendonte veten me një shpatë ceremoniale në brez, kurorë në kokë dhe medalje mbi sup.

Ankth, i cili edhe sot e përndjek dhe shfaqet në një linjë të shkruar prej tij, por frymëzuar prej ish-presidentit amerikan, Barack Obama: E shkuara kurrë nuk është e vdekur. Nuk është as e shkuar.

Kështu janë edhe kujtimet e tija, të vegimta, por të pranishme, me më së shumti shëmbëllimin e Dianës në to, flokartës që Harryn e mbante mbi super kur ishte fëmijë dhe e tregonte si reflektim të saj, të një karakteri përtej pushtetit, i cili mund të shkaktojë edhe vdekjen – aksidentale ose jo – por që është autentike dhe simbolizuese e një karakteri të veçantë e të pëlqyer nga shumica.

Ajo e një princi popullor, mes popullit, si gjithë të tjerët…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore