Lajme

MPB: Janë lëshuar 6 mijë e 375 targa për shtetas të Serbisë


Ilustrim

Ministria e Punëve të Brendshme në Kosovë, ka njoftuar se brenda dy ditëve pas fillimit të zbatimit të reciprocitetit për targa të përkohshme me Serbinë, janë lëshuar gjithsejtë 6 mijë 375 targa.

Tutje në njoftimin e MPB-së është bërë e ditur se targat e përkohshme janë administruar në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar dhe në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.

“Gjatë periudhës 20 – 22 Shtator 2021, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), respektivisht Agjencia për Regjistrim Civil (ARC), ka administruar gjithsej 6 mijë e 375 targa të përkohshme në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar (PPK) dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në mbarë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Vendimi për targat ka hy në fuqi mëngjesin e së hënës të 20 shtatorit.

Qytetarët që kanë tabela të veturave të Serbisë obligohen t’i vendosin të Kosovës, në të kundërtën nuk lejohen të hyjnë në Kosovë.

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka shkaktuar reagime të ashpëra nga Beogradi, duke paralajmëruar ankesa në Bashkimin Evropian dhe masa ekonomike e politike ndaj Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se vendimi për targat e përkohshme është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë gjithandej në Kosovë.

Ai kishte folur edhe për pengesat në rrugë, ndërsa kishte ftuar qytetarët e asaj pjesë që të mos pengojën lëvizjen e lirë.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë”.

“Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen”.

Ndërsa nga ana tjetër, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i ka bërë bërë thirrje Institucioneve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të zgjedhin problemin e tyre në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa, përmes dialogut.

“Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”, ka thënë Tanin.

Sipas Tanin, veprimet e njëanshme të dy shteteve përshkallëzojnë situatën dhe rrjedhimisht duhet të shmangen për interesin e paqes dhe sigurisë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore