Kosova

Kurti: I vetmi person që do incidente është Vuçiç


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se vendimi për targat e përkohshme është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë gjithandej në Kosovë.

Ai ka folur edhe për pengesat në rrugë, ndërsa ka ftuar qytetarët e asaj pjesë që të mos pengojën lëvizjen e lirë.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë”.

“Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen”.

Ai ka fajësuar edhe presidentin e Serbisë, që ka interes për eskalim të situatës.

“Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog”.

“Edhe oferta jone publike është tejet praktike, le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e dhe Kosova. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet siç po bëjnë aktualisht”.

“Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen bisedimet dhe ne jemi të gatshëm e të hapur për të biseduar”, ka thënë Kurti.

Gjatë mbledhjes të Qeverisë së Kosovë, kryeministri Albin Kurti, ka treguar për nisjen e procedurave për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Kurti ka thënë se arsyeja e themelimit të këtij fondi është ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm.

“Në përputhje me zotimin tonë, sot po e marrim një hap të rëndësishëm. Me qëllim të ngritjes së përformancës, me synim të përkujdesjes se aseteve strategjike të Republikës së Kosovës”.

“Me qëllim për rindërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe me qëllim të shërbimit si krah financiar, përmes këtij propozim vendimi, qeveria themelon Komisionin i cili do të vendos hapat bazë për themelimin e Fondit Sovran”, ka thënë Kurti.

Nga ana tjetër komisioni do të ketë këtë përbërje: kryeministri kryesues, zëvendëskryeministri i parë zëvendës kryesues, ministrja e Ekonomisë anëtare, ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë anëtare, ministri i Financave Punës dhe transfereve anëtarë, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës anëtarë dhe zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm të zyrës së kryeministrit.

Kurti gjatë kësaj mbledhje të qeverisë ka folur edhe për gjendjen pademike në Kosovë, kurse ka treguar se pas marrjes së detyrës kanë siguruar 2.2 milionë vaksina.

“Varianti Delta ka marr jetë njerëzish dhe në emër të qeverisë shpreh ngushëllime për secilën jetë të humbur duke shpresuar që kësaj pandemia po i vije fundi e që fundin do ta shohim më shpejtë nëse të gjithë vaksinohemi sa më shpejtë e më shumë”, ka Kurti.

Ai ka treguar se kanë marrë 260 vendime për periudhën gjashtë mujore të qeverisjes së tij.

“Kemi mbështetur personelin shëndetësor, policinë, bizneset e mbyllura pensionistët dhe familjet me asistencë sociale me 20 milionë euro, mbështetjen e lehonave me 170 euro në muaj dhe shtesat për fëmijët për 20 euro në muaj, po ashtu kemi marr vendim që arsim i lartë në Kosovë të jetë falas për të gjithë pa dallim, ndërsa lehtësime do të ketë edhe për studentë e doktoratës ”, ka thënë ai.

Kurti ka treguar se ndër vendimet kanë qenë largimi i homologimit për vetura, lirimi i pagesës së patentë shoferë, ndërsa ka shtuar se “kanë marrë përsipër mbulimin shpenzimeve të kartonit të gjelbër për mërgatën tonë”.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe propozimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, për ndarjen e 1 milionë eurove për subvencionimin e bursave për  studentë dhe 1 milionë për euro për aftësimin e të rinjve në fushën e IT-së.

Po ashtu janë ndarë 55 mijë e 700 euro për angazhimin e përkohshëm të 34 inspektorëve sanitarë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, statusi i Investitorit Strategjikë i është dhënë kompanisë “Kosmonte Foods”.

Ministrja Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka dhënë detaje për vlerën e investimeve.

“Pas një analize rishqyrtimi, do të implimentojë përpunimin e pemëve, në fund të vitit 2025, sipas planit pritet të jenë 38 mijë metra katrorë që investimet e tejkalojnë buxhetin prej 11 milionë euro”, ka thënë Hajdari.

Tutje, gjatë kësaj mbledhje për në Kuvendin e Kosovës është dërguar për miratim emri i Klemen Miklaviç, për anëtarë ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim.

Po ashtu është miratuar edhe projektligji për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligji për Inspektimet dhe Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve.

Ndërsa gjatë kësaj mbledhjes është miratuar edhe Amendamenti 1 i marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2017, nga i cili do të rialkohen 2.3 milionë euro.

Kurse, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ditës së mërkurë i ka propozuar Kuvendit të Kosovës anëtarët për Këshillin Kombëtarë të Shkencës.

Ky këshillë përbëhet nga 15 anëtar, ndërsa ka një mandat 4 vjeçar.

Emrat e propozuar për anëtar të këtij këshilli janë : Fetah Podvorica, Mihone Kerolli – Mustafa, Ardian Gojani, Myzafere Krasniqi-Limani, Ardian Morina, Zanfina Ademi, Fisnik Kurshumliu, Bajram Berisha, Hysen Bytyqi, Aliriza Arenliu, Gazmend Qorraj, Armend Tahirsylaj, Sevran Kervan, Majlinda Bregasi, Arbnora Dushi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore