Lajme

Deputetja e LVV-së i bën thirrje prokurorisë ta hetojë ministrin Aliu për skandalin rreth ambalazhuesve të ujit


Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Fitore Pacolli, derisa komentoi në televizionin “Kanal 10” skandalin rreth ambalazhuesve të ujit, kërkoi nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ta hetojë rastin e keqpërdorimit të miliona eurove, ky dyshohet të jetë i përfshirë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili ende s’ka dhënë sqarime.

“Ne kemi kërkuar informata nga ministria sa i përket këtij rasti dhe presim që informatat të vijnë në formë të shkruar dhe nuk mundem ta komentojë këtë pa e pasur arsyetimin e ministrit, ndërsa nëse janë falur borxhet nga ministria, atëherë të futet prokuroria dhe ta hetojë rastin”, deklaroi deputetja, derisa shtoi se komisioni parlamentar pritet të mblidhet në fund të muajit.

Në një cikël të gjatë të raportimeve Albanian Post zbuloi se nëpërmjet një procedure të sofistikuar mashtrimi, ministri Aliu, së bashku me zëvendësdrejtorin e Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, Naser Hafizi, dëmtuan buxhetin e shtetit duke ua shlyer borxhet milionëshe në forma të kundërligjshme kompanive kosovare të ambalazhuesve të ujit.

Vetëm në një pjesë të dosjes që e zbërtheu Albanian Post pas një hulumtimi të gjatë, në rastin e pesë kompanive kosovare të ambalazhuesve të ujit – nga 27 sa janë në total – bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove. E skandali rreth faljes e borxheve nga ministri Aliu për ambalazhuesit e ujit bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore