Lajme

(Mos)luaj me rrymë – Gjithçka që duhet të dini për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në aferën sllovene


Martin Berishaj dhe Robert Golob

Të enjten e 21 prillit një media sllovene, TV Planet, zbuloi një afër financiare ku dyshohej për shpëlarje parash dhe në të përfshihej opozitari, Robert Golob, kryetar i partisë Lëvizja për Liri dhe gjithashtu edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Skandali u publikua vetëm 2 ditë para se të mbahen zgjedhjet parlamentare në Slloveni. Zgjedhjet janë të dielën, me 24 prill.

Çfarë ka ndodhur dhe çfarë dihet deri më tani?

  1. Media sllovene raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.
  2. Berishaj u deklarua vetëm në Facebook. Mohoi se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.
  3. “Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.
  4. Në të kaluarën, para se të futej në politik, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.
  5. GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.
  6. Albanian Post më vonë kuptoi se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.
  7. Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.
  8. Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.
  9. Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare ku thuhej se e kanë thirru ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportoi për këtë rast.
  10. Albanian Post realizoi një intervistë me gazetarin slloven Primoz Cirman. Ai tha se Skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri actual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifiuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.
  11. Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.
  12. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikoi në llogarinë e tij në Facebook një status ku tha se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.
  13. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj”.
  14. Portali inFokus publikoi një shkrim ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyre në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.
  15. Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë. Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.
  16. Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka bërë pyetje Albin Kurtit, duke i kërkuar të tregojë se a është i përfshirë në këtë skandal.

Në ditët në vazhdim pritet të kuptohet më shumë rreth këtij skandali dhe rolit të secilit në të, veçanërisht, ambasadorit të Kosovës, Martin Berishaj.

Si u gjend ambasadori i Kosovës në mesin e një lufte politike në Slloveni dhe cili është roli i tij?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore