Lajme

Si u gjend ambasadori i Kosovës në mesin e një lufte politike në Slloveni dhe cili është roli i tij?


Ambsadori Martin Berishaj dhe kryeministri slloven Janez Jansha

Martin Berishaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci, është emri kryesor i përmendur në skandalin e zbuluar financiar në Slloveni ku dyshohet se kandidati për kryeministër, Robert Golob, ka bërë shpëlarje parash dhe atë e ka ndihmuar ambasadori Berishaj.

Sipas lajmit të publikuar, një kompani energjetike ballkanike, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.

Por, këtu lind edhe paradoksi.

Martin Berishaj është mik i kryeministrit aktual të Sllovenisë, Janez Jansha. Ai e ka vizituar Janshën disa herë në zyrën e tij dhe, për më tepër, publikisht në vitin 2018 kishte kërkuar nga shqiptarët në Slloveni që të votojnë për Janshën. Si u bë që tash po bashkëpunon me kundërshtarin e tij?

Profili i Martin Berishaj në Facebook

Sipas gazetarit slloven, Primoz Cirman, me të cilin Albanian Post më vonë gjatë ditës do të sjellë një intervistë të zgjeruar rreth situatës në Slloveni, ambasadori Berishaj mund të jetë dëm kolateral, në luftën e brendshme për pushtet në Slloveni.

Media që e ka zbuluar skandalin është Planet TV, në pronësi të Jozsef Vida. Në Slloveni thuhet se ai është oligark hungarez i rrethit të ngushtë të Viktor Orban, autoritarit hungarez. Derisa opozita sllovene e konsideron Janshan të afërt me Orbanin.

Këto ditë pritet të zbulohet më shumë rreth rolit të ambasadorit në këtë skandal.

Një prapavijë, cila është situata politike në Slloveni?

Janez Jansha

Këtë të diel janë zgjedhjet në Slloveni. Ka shumë gjasë që kryeministri aktual, Janez Jansha, mund ta humbë pozitën dhe të mposhtet nga i ardhuri i ri në politik, biznesmeni nga sektori i energjetikës, Robert Golob.

Sllovenia aktualisht është një vend shumë i polarizuar politikisht dhe këto zgjedhje janë ndërtuar si “një referendum për demokracinë”.

Analistët në Slloveni thonë se Golob ka shanse reale që të fitojë shumicën, në republikën e parë ish-jugosllave që iu bashkua Bashkimit Evropian, qysh në vitin 2004.

Gjatë kësaj kohe ka pasur protesta të mëdha anti-qeveritare, duke e akuzuar Janashan për autoritarizëm.

Opozita gjithashtu ka akuzuar Janshan se ka përdorur periudhën e pandemisë për të mbyllur institucionet demokratike të vendit, për ta shtypur median e lirë dhe shkatërruar pavarësinë e gjyqësorit.

Në këtë situatë u shfaq edhe Golob, i cili mori partinë e vogël të të Gjelbërve dhe e ri-emëroi Lëvizja për Liri.

Sondazhet tani tregojnë se partia e Golob është fyt-me-fyt për nga numrat me partinë e Janshas, Partia Demokratike Sllovene.

Të dy kanë diku rreth 26 për qind të votës së përgjithshme.

Golob ka përkrahjen e disa partive opozitare të qendrës së majtë, derisa Jansha edhe me aleatët e tij të qendrës së djathtë do ta ketë të vështirë të arrijë shumicën parlamentare – 90 ulëse.

Robert Golob

Fillimi i Robert Golob

Robert Golob, tani kandidat për kryeministër të Sllovenisë, ishte shef i kompanisë Gen-I, kompani energjetike e shtrirë në Ballkan dhe këtë vit njoftoi se do bëhej president i një partie të vogël parlamentare në Slloveni që të marrë pjesë në zgjedhjet e 24 prillit.

Bëhej fjalë për partinë e gjelbër, e formuar nga ish ministri i ambientit, Jure Leben, në maj të vitit 2021.

“Kam dëgjuar se posti i presidentit është vakant, kjo është magjia e aventurës”, pati thënë Golob.

Vendimi erdhi pasi Golob kishte pasur takime me liderë të ndryshëm partish, meqë veç kishte vendosur se do të garonte në zgjedhjet nacionale.

Ai e quan vetën kritik të sistemit aktual me parti politike, prandaj ishte skeptik fillimisht nëse duhet t’i bashkohet një partie ekzistuese, megjithatë më pas tha se sistemi politik në Slloveni e pamundëson ndonjë mënyrë tjetër të organizimit politik përveç kësaj forme përmes partive.

Ai, në konferencën njoftuese, kishte folur për suksesin e kompanisë që udhëhiqte Gen-I, kompani që në Slloveni e kishte themeluar dhe udhëhequr deri kur vendosi t’i futej politikës.

Për të njëjtën thoshte se është model se si do ta bëjë Slloveninë.

Ai refuzonte t’u përgjigjej shumicë së pyetjeve direket rreth pikëpamjeve të tij politike, por thoshte se për gabimet që po bën shteti do të flas gjatë fushatës.

Pas fillimit të fushatës Golob filloi të fitojë simpati dhe tash në fund cilësohet si kandidati më serioz për ta rrëzuar kryeministrin aktual, Janez Jansha.

Por më pas filluan po ashtu të dalin edhe informacione se Golob është pjesë e strukturave të mafias së energjisë në Ballkan.

Para skandalit ku përfshihet edhe ambasadori i Kosovës, ishte ai i hapjes së një llogarie bankare në Rumani.

Mediat zbuluan se Golob kishte llogari bankare në Rumani, por ai mohoi kategorikisht se ishte llogari e tij dhe aludonte se i ishte vjedhur identiteti.

I konfrontuar nga gazetarët se është e pamundur të hapësh llogari me identitet të vjedhur, sepse sistemi bankar në Evropë është i unifikuar, ai, duke folur për N1, u përgjigj se “edhe unë mendoja se ishte a pamundur”.

Golob vetë thotë se e mori vesh se ekziston ajo llogari e tillë, vetëm kur në dhjetor të vitit të kaluar, kur kishte vendosur të futej në politikë, ai, ashtu siç e parasheh ligji, kishte pyetur Administratën Financiare, për një certifikatë se nuk ka llogari bankare jashtë vendit.

“Pastaj ata më informuan: zotëri Golob, keni një llogari në Rumani, përndryshe është e pastër dhe s’ka pasur qarkullim në të, por e keni”.

Situatën e ka komentuar edhe Jansha.

“Dikush hap një llogari për ju në një vend tjetër evropian dhe paratë rrjedhin aty pa e ditur ju. Këto janë mrekulli që do t’i kishte zili edhe Jezusi”, tha kryeministri Janez Jansha në kuvendin zgjedhor të SDS-së.

Por, Golob pohon se s’ka asnjë dëshmi se ajo llogari ka lidhje me të, përveç që i është vjedhur identiteti. Gjithashtu, tha se ka noterizuar avokatë në Rumani që të merren me bankën dhe ta pyesin se si u hap llogaria.

I pyetur se përse nuk ka denoncuar në polici se i është vjedhur identiteti, ai tha se po pret fillimisht një përgjigje përfundimtare nga banka që të ketë kë ta akuzojë për atë vepër, meqë aktualisht ka veç dyshime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore