Lajme

“Evropa mund të vdesë”: Macron kërkon mbrojtje më të fortë dhe reforma ekonomike


Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për mbrojtje më të fortë dhe më të integruar evropiane dhe tha se kontinenti nuk duhet të bëhet një vasal i Shteteve të Bashkuara.

Kjo pasi ai përshkroi vizionin e tij për një Bashkimi Evropian më të sigurt në skenën globale.

Me vetëm tre vjet të mbetur nga mandati i tij i dytë dhe i fundit në detyrë – dhe pasi humbi shumicën e tij parlamentare në 2022 –  Macron, 46 vjeç, dëshiron t’u tregojë kritikëve të tij se ruan energjinë dhe mendimin e freskët që e ndihmuan në ardhjen në presidencë në 2017-n.

“Ekziston rreziku që Evropa jonë të vdesë. Ne nuk jemi të pajisur për t’u përballur me rreziqet”, tha Macron në fjalimin e tij në Universitetin e Sorbonne-s në Paris.

Ai paralajmëruar se presionet ushtarake, ekonomike dhe të tjera mund të dobësojnë dhe copëtojnë BE-në.

Macron tha se Rusia nuk duhet të lejohet të fitojë në Ukrainë dhe ai bëri thirrje për një rritje të kapacitetit të sigurisë kibernetike të Evropës, lidhje më të ngushta të mbrojtjes me Britaninë pas Brexit dhe krijimin e një akademie evropiane për të trajnuar personelin ushtarak të rangut të lartë.

“Ne duhet të prodhojmë më shumë, më shpejt dhe duhet të prodhojmë si evropianë”, tha Macron.

Evropa “duhet të tregojë se nuk është një vasal i Shteteve të Bashkuara dhe se di gjithashtu të flasë me të gjitha rajonet e tjera të botës”.

Sfidat ekonomike

Macron tha se, Evropa gjithashtu rrezikon të mbetet prapa ekonomikisht në një kontekst ku rregullat globale të tregtisë së lirë po sfidohen nga konkurrentët kryesorë.

Sipas tij Evropa duhet të synojë të bëhet një lider global në inteligjencën artificiale, llogaritjen kuantike, hapësirën, bioteknologjitë dhe energjinë e rinovueshme.

BE-ja duhet të pajtohet me përjashtimet nga rregullat e veta të konkurrencës, në mënyrë që të mund të mbështesë firmat në sektorë të tillë si inteligjenca artificiale dhe energjia e gjelbër përballë “mbi-subvencioneve” nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Evropa ka nevojë për tregje më pak të fragmentuara për energjinë dhe shërbimet financiare dhe gjithashtu duhet të shkurtojë burokracinë, shtoi ai.

Udhëheqësi francez shpreson se, fjalimi i tij do të ketë të njëjtin ndikim si një fjalim i ngjashëm që ai bëri shtatë vjet më parë që parafytyroi disa ndryshime të rëndësishme të politikave të BE-së.

Që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar, me sfida të mëdha gjeopolitike, duke përfshirë luftën në Gaza, pushtimin rus të Ukrainës dhe rritjen e tensioneve Kinë-SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore