Lajme

Rohde e përmendi Asociacionin, Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE


Albin Kurti me deputetët gjermanë

Pak ditë pasi Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takim me disa deputetët gjermanë ka kërkuar mbështetjen e tyre edhe në hapin e fundit të Kosovës drejt kësaj organizate ndërkombëtare.

“Krahas mirënjohës për mbështetjen e deritanishme ndaj vendit tonë, kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV, të martën kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, potencoi ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Rohde ka thënë se “sa më shumë që bëhet para takimit të Komitetit të Ministrave, aq më e madhe është mundësia për një votim të suksesshëm”.

“Besoni, Gjermania është tejet e interesuar për një votim të suksesshëm dhe një anëtarësim të suksesshëm në Këshill të Evropës”.

Gjermania kërkon që Kosova ta dërgojë në Kushtetuese Asociacionin nëse do anëtarësim në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore