Lajme

Moska thotë se ‘propaganda’ perëndimore dështoi


Ministria e Jashtme e Rusisë ka reaguar pas largimit të disa njësive ushtarake nga kufiri i Ukrainës duke thënë se Perëndimi është “poshtëruar” për paralajmërimet e tij mbi një pushtim të mundshëm.

Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova tha se 15 shkurti do të hyjë në histori si “dita kur dështoi propaganda e luftës perëndimore”.

Zyrtarët e ushtrisë ruse deklaruan se disa nga trupat e tyre pritet të kthehen në baza.

Kjo, pasi një numër stërvitjesh ushtarake me Bjellorusinë kanë përfunduar.

Moska zyrtare ka grumbulluar mbi 130 mijë trupa pranë kufijve ukrainas.

Disa trupa në rrethet ushtarake të Rusisë ngjitur me Ukrainën po kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.

Të paktën, këtë citon njoftimi i Ministrisë ruse së Mbrojtjes.

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” nënvizoi qëndrimin zyrtar të ministrisë se stërvitjet vazhdojnë ende në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.

“Me përfundimin e masave të stërvitjes luftarake, trupat, si gjithmonë, do të kthehen në pikat e tyre të vendosjes së përhershme”, tha gjeneralmajori rus Igor Konashenkov.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe paralajmëruan se një pushtim rus i Ukrainës ishte “i afërt”.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss u shpreh se do t’i besojë deklaratave kur ” Rusia të largojë trupat nga kufiri”.

Ajo shtoi se Perëndimit do t’i duhet të shohë një “largim në shkallë të plotë të trupave për të treguar se kjo është e vërtetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore