Lajme

Mitrovica e Veriut i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës


Ilustrim

Komuna e Mitrovicës së Veriut, këtë të premte, ka marr vendim që t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Vendimi në fjalë u morr gjatë një seance të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Kështu të paktën ka bërë të ditur asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Aida Doli.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Aida Doli, këshilltare komunale.

Kjo votë, sipas saj, tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale.

“Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”.

Ndryshe kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, përmes një kërkese zyrtare muaj më parë kishte kërkuar që komuna që ai udhëheq të anëtarësohet në në Asociacionin e Komunave të Kosovës – organizatë joprofitabile, që i përfaqëson interesat e përgjithshme të autoriteteve lokale.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është formuar në vitin 2001 pas zgjedhjeve të para demokratike komunale. Themelimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës është mbështetur në nenin 10 të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Lokale në kuadër të Këshillit të Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore