Shqipëria

Miratohet ligji “Fëmijët nën përkujdesjen e Republikës”


Kuvendi i Shqipërisë, të hënën e 20 dhjetorit, ka miratuar ligjin për “Fëmijët nën përkujdesjen e Republikës”.

Sipas këtij ligji, “Fëmijëve të Republikës” do t’u mundësohet pagë e plotë mujore e prindit, deri në moshë madhore, ose deri në moshën 25 vjeç. Kjo për fëmijën e vetëm kur ai/ajo ndjek studimet e larta.

Gjithashtu, 140% e pagës do të jepet kur prindi ka lënë pas dy fëmijë, 150% kur fëmijët jetimë janë tre dhe 160% e pagës së prindit, kur në familje janë katër fëmijë që kanë humbur prindin.

Kjo vlen për të gjithë jetimët e të gjithë të rënëve në krye të detyrës.

Por, edhe për ata qytetarë që humbën jetën në mbrojtje të jetës së të tjerëve ose pronës publike, si dhe në kushte situatash fatkeqësie natyrore.

Nuk do të mbetën pas edhe fëmijët e mjekëve dhe infermierëve që ndërruan jetë në frontin e luftës kundër virusit COVID-19.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në median sociale Facebook, ka sqaruar se do të ketë mbështetje me prioritet për arsimimin dhe punësimin e çdo fëmije nën përkujdesjen e Republikës.

“Kujdes shëndetësor i mbuluar financiarisht nga shteti edhe kur fëmija nën përkujdesjen e Republikës, kurohet në struktura jopublike, brenda ose jashtë vendit”, shkruan ai.

Rama e ka prezantuar nismën në seancën përmbyllëse të Kuvendit të Shqipërisë, duke shpalosur edhe skemën e financimit për të gjithë ata, të cilët përfitojnë.

Një sërë përfitimesh vijnë në disa kategori.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore