Shqipëria

GJKKO dënon me 7.6 vite burg Endi Braçajn, nën akuza për trafik droge dhe grup kriminal


Gjykata e Posaçme GJKKO ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për grup kriminal dhe për trafik droge Endi Braçajn.

Nga gjykimi i shkurtuar, Braçaj do kryejë 5 vite burg.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datën 29.01.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: gjykimin në themel të çështjes penale Nr.53 Regj. Them., në ngarkim të të pandehurit Endi Braçaj, akuzuar për veprat penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283/1, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Në përfundim të gjykimit, GJKKO, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Paulin Çera, Marçela Shehu, Gentian Marku, me vendimin Nr. 34, datë 22.05.2024 vendosi deklarimin fajtor të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 7 vite e 6 muaj burgim.

Po ashtu vendosi deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Endi Braçaj për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal” të parashikuar nga neni 333/a/2 të Kodit Penal.

Në aplikim të nenit 406 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Endi Braçaj, i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 5 vite burgim.

Vuajta e dënimit i fillon nga dita e ekzekutimit të vendimit të caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, në mungesë të tij ose vendimit gjyqësorë të formës së prerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore