Lajme

Ministri i Jashtëm çek: Nuk mund të parashikohet një datë kur mund të hiqen vizat për Kosovën


Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministri i Jashtëm të Republikës së Çekisë, Jan Lipavsky

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një konferencë të përbashkët me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi ka konfirmuar se Presidenca çeke e Bashkimit Evropian është duke punuar për të shtyrë para procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se e përkrah Kosovën në këtë drejtim, por që nuk mund të parashikohet një datë për heqjen e vizave.

“Për të kuptuar drejt, është një proces që bëhet nga aspekte teknike dhe vendime politike. Shpresoj që presidenca çeke të ketë vendim politik, që liberalizimi të ndodhë. Pastaj kthehemi te aspekti teknik dhe është e pamundur që të parashikohet një datë e saktë kur do të përfundojë”, tha ai.

“Dua të theksoj se Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosova, është ndër prioritetet rajonale. E përpjeket tona fokusohen tek të bërit progres në procesin e integrimit, përfshirë edhe liberalizimin e vizave. Janë takime teknike që pritet të rezultojnë me vendim pozitiv për Kosovën dhe Presidenca çeke po punon në këtë fushë e po e përkrahim këtë”, ka thënë ai.

Ndërsa, është shprehur se do ta përkrahë Kosovën në çështjen e sundimit të ligjit.

Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka bërë thirrje që të dyja palët të respektojnë marrëveshjet e arritura.

“Dua të them se normalizimi i marrëdhënieve është aspekt qenësorë për procesin e integrimit evropian. Pa sukses në këtë fushë është e pamundur të kemi sukses të përafrimit në BE. Duhet të dy palët të respektojnë e implementojnë marrëveshjet e arritura përmes dialogut”, tha Lipavsky.

Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe ministri i Jashtëm të Republikës së Çekisë, Jan Lipavsky

Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur i bindur se Republika e Çekisë do ta shtyjë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të saj në kryesimin e Bashkimit Evropian.

“E çmojmë faktin se e keni vendosur lartë agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar. Janë pesë procedura. Jemi të bindur se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së. Ky është hap i rëndësishëm për qytetarët tanë”.

“Procesi i liberalizimit është i rëndësishëm jo vetëm si simbolik, por edhe në politikë pasi do ta rritë kredibilitetin. E informova Lipavskyn, se Qeveria jonë që nga fillimi është përfshirë në mënyrë konstruktive me dialogun me Serbinë”, ka thënë Bislimi në konferencë.

Më 13 tetor, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian.

Këtë e kanë konfirmuar burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që janë jashtë Bashkimit Evropian, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore