Lajme

Ministri i Bujqësisë për zbatimin e Ligjit për kontrollin e duhanit: U shqiptuan 460 gjoba, u bënë mbi 3 mijë inspektime


Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Faton Peci, pas mbledhjes së Qeverisë është shprehur i vendosur se nuk do të ketë asnjë tolerim për rastet që e shkelin Ligjin për kontrollin e Duhanit.

Tutje ai ka sqaruar se inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë zhvilluar mbi 3 mijë e 200 inspektime dhe kanë shqiptuar 460 gjoba.

“AUV-i ditëve të fundit ka marrë veprime për parandalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluar, jemi në implementimin e këtij ligji në lokalet e ndryshëm, hotele, kafiteri”.

“Janë bërë mbi 3 mijë e 200 inspektime e janë shqiptuar 460 gjoba, nga këtu përçojmë mesazhin që të respektohet ligjin që të ruajmë shëndetin publik. Kemi inspektuar edhe tregjet ku ushtrohet veprimtaria ilegale me tregtimin e shtazëve e shpezëve, jemi vendosur në zbatim të ligjit edhe në këtë pjesë”.

Duke shtuar se “viti 2023 është rekord i të mbjellave në sektorin e dritharëve, do të risimin nivelin e kontrollit deri në 100%”.

Bazuar në statistikat ndërkombëtare dhe ato të cilat prezantohen nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhani çdo vit vret rreth 5.4 milion njerëz në botë.

Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flet se mbetjet e duhanit përmbajnë mbi 7,000 lëndë kimike toksike që helmojnë mjedisin, përfshirë këtu lëndë që shkaktojnë kancerin.

Ndërsa, bazuar në statistikat e Doganës së Kosovës, vetëm për një vit hyjnë rreth 3 mijë e 500 tonelata duhan.

Ligji për kontrollin e duhanit në Kosovë ka hyrë në fuqi në vitin 2013. Qëllimi i këtij Ligji është të mbështesë përpjekjet e shoqërisë për të zbutur dhe reaguar ndaj një problemi të madh të shëndetësisë publike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore