Lajme

Ministrat e BE-së i kërkojnë Hungarisë të nënshkruajë embargon ndaj naftës ruse


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) janë përpjekur të bëjnë presion publik ndaj Hungarisë, për të hequr veton e saj ndaj një embargoje të propozuar për naftën ruse.

Për Lituaninë, blloku po “mbahet peng nga një shtet anëtar”.

Embargoja, e cila u parashtrua në fillim të majit nga Komisioni Evropian, do të ishte sanksioni më i rreptë deri më tani ndaj Rusisë.

Ajo përfshin shkurtime për shtetet e BE-së, të cilat janë më të varura nga nafta ruse.

Por Hungaria, aleati më i ngushtë i Moskës në BE, ka thënë se kërkon qindra milionë euro nga blloku për të zbutur koston e heqjes së naftës së papërpunuar ruse.

Sakaq, BE-së i duhet që të 27 shtetet të bien dakord për embargon, në mënyrë që të vazhdojë.

Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm hungarez, ka pohuar se në horizont nuk duket ndonjë zgjidhje.

Megjithatë, ministrat e BE-së nga Austria në Estoni, kanë thënë se do të ketë ende një embargo të naftës, edhe nëse do të duhej më shumë kohë për të arritur një marrëveshje.

Embargoja e naftës shihet si mënyra më e mirë për të reduktuar të ardhurat ruse për luftën në Ukrainë dhe që do të pasonte pesë raunde të sanksioneve të mëparshme të BE-së.

Tanimë, ajo është vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore