Lajme

Marty: “Serbët dëshirojnë të më vrasin”, Pacolli: “Është koha që ai të tregojë se pse Thaçi është në burg”


Behgjet Pacolli

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, i cili në një intervistë për Radiotelevizionin e Zvicrës kishte treguar se si serbët deshën ta vrisnin dhe t’ua linin fajin shqiptarëve të Kosovës.

Sipas Pacollit, Marty tashmë pas këtyre deklaratave duhet të tregojë të vërtetat në raport se si e ka krijuar raportin e tij ku implikonte anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vrasjen e të burgosurve serbë, si dhe shitjen e organeve të tyre.

“Nëse është e vërtetë se Dick Marty po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur që ai të tregojë se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaçi sot është në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Dick Marty

Ndryshe që nga dhjetori 2020, Dick Marty ishte vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore pasi i njëjtë kërcënohej me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe.

Deri më tash, Zvicra nuk ka ndërmarrë asnjë veprim diplomatik ndaj Beogradit.

Dick Marty, i cili si anëtar i Këshillit të Evropës, kishte raportuar për përfshirje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një rrjet të trafikimit të organeve.

Bazuar mbi raportin e tij u themelua edhe Gjykata Speciale, përkundër se fakte për ato që thoshte Marty nuk dolën kurrë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore