Lajme

Macronin e pret qeverisje e vështirë pas humbjes së shumicës absolute


Nuk ka shumicë absolute për Emmanuel Macron pas publikimit të rezultateve zgjedhore për votimin përcaktues mbi deputetët e Asamblesë Kombëtare Franceze.

Presidentit të sapo rizgjedhur francez, i duheshin 289 ulëse, të cilat jo vetëm nuk i mori, por humbi edhe shumë terren përballë kundërshtarëve.

Ensemble e Macronit, arriti të fitojë 244 vende, kur kanë mbetur edhe vetëm tre vende për t’u përcaktuar nga votimet.

Ndjekësit më të afërt janë koalicioni Nupes, i cili ka bërë bashkë të majtën ekstreme të Jean-Luc Melenchon dhe partinë e gjelbër. Kjo është një arritje shumë e madhe për vetë Melenchon, duke parë se e gjithë fushata e tij, ishte e rrotulluar pikërisht tek garantimi i ulëseve më të shumta të mundshme në Asamble, pasi doli i treti në garën presidenciale.

Koalicioni i Marine Le Pen nga ana tjetër, arrin një rezultat historik për të djathtën ekstreme, duke rrëmbyer 89 karrige në Asamble.

Me 64 deputetë, mbeten republikanët e LR-UDI, të cilët mund të jenë vendimtarë për Macronin nëse i shohin si të duhura politikat e tij.

36 vende të tjera deri tani janë të shpërndara për partitë më të vogla, por edhe me ato, kreu i Elysee-së nuk mundet të ketë shumicën, pasi i duhen 45 vota.

Kështu, në këtë situatë, qeverisja e pesë viteve të ardhshme për Macron, shihet si shumë e vështirë, me reforma të rëndësishme thuajse të pamundura për të kaluar pa një konsensus më të gjerë dhe pa lënë diçka në pjatë për kundërshtarët.

Zëra brenda vetë partisë së Macron, janë edhe më skeptikë, duke nxjerrë në pah edhe skenarë të shpërndarjes tërësore të Asamblesë që pas një viti, gjë që mund ta çonte Francën në rivotim dhe madje edhe mund të vendoste në lojë deri edhe presidencën e Macron.

Me republikanët më të prirur të qëndrojnë opozitarë për shkak të pikëpamjeve, pavarësisht se votat e tyre do të ishin shumë të rehatshme për presidentin francez, rruga e vetme e bashkëpunimit mund të mbetet ajo me Melenchon.

Sërish, edhe kjo është e vështirë, pasi kreu i të majtës së ekstremit nuk lëshon pe kollaj në idealet e politikbërjes së tij dhe rekrutimi individual i deputetë, është thuajse i pamundur në Francë…

Mbi të gjitha, në shifrat që i duhen Macronit!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore