Lajme

Macron-i thirrje Biden-t për të rritur angazhimin ushtarak


Presidenti francez,  Emmanuel Macron, tha se shpreson se presidenti  i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara (SHBA), Joe Biden, të  rrisë angazhimin ushtarak për të luftuar kundër ekstremistëve islamikë në konfliktet e Lindjes së Mesme.

 “Jam i sigurt që në javët e ardhshme, administrata e re, e presidentit Biden do të duhet të marrë vendime kryesore . Këto vendime  do të rrisin angazhimin ushtarak  dhe ndërgjegjësimin në luftën kundër terrorizmit në Siri dhe Irak”, tha Macron në fjalimin  e tij  për ushtrinë franceze.

Macron nënvizoi  se Franca ka vazhduar përpjekjet e saj për të luftuar kundër grupit të Shtetit Islamik në rajon. Rreth 900 trupa franceze aktualisht po marrin pjesë në koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja . Luftanija, Charles-de-Gaulle, do të ribashkohet  operacionin në muajt e ardhshëm.

Ai bëri thirrje që SHBA-ja  të përfshihet më shumë në bashkëpunimin shumëpalësh të mbrojtjes. Biden, inaugurimi i të cilit është planifikuar më 20 janar, është zotuar të rivendosë marrëdhëniet e SHBA –së me aleatët dhe me Organizatën  e Traktatit të Atlantikut të Veriut  (NATO).

Nën administratën  e Trump-it, numri i trupave amerikane në Afganistan u zvogëlua  në rreth 2 mijë e 500.  Numri i forcave amerikane në Irak  u shkurtua në muajt e fundit.

Në fjalimin e tij,  presidenti francez  tha se po konsideronte të tërhiqte një pjesë të trupave nga rajoni i  Sahel-it, në Afrikë.

Ai tha se do të ketë disa njoftime të reja,  gjatë muajit tjetër në një samit, në kryeqytetin e Chad-it.  Zhvendosja e rreth 5 mijë e 100 trupave ushtarakë në pesë vendet e Afrikës Perëndimore përfaqëson operacionin më të madh ushtarak të Francës jashtë territorit të saj.

Kjo deklaratë e presidentit francez vjen tani që Sekretar i SHBA-së do të jetë Tony Blinken. Blinken-i ka një kulturë dhe një formim francez. Deklarata vjen në momentin kur shteti francez po diskuton ligjin separatist në lidhje me islamin francez./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore