Lajme

Lista Serbe me dy kushte për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme


Foto: REL.

Lista Serbe, të hënën ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje që mund të mbahen në komunat në Veri, vetëm kur të atyre të ju plotësohen dy kushte.

Kushti i parë i Listës Serbe është që forcat special të Policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu i Kosovës, ndërsa ai i dyti është që të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

Sipas tyre, çelësi për ulje të tensioneve është që të mos ketë forca speciale të Policisë së Kosovës në Veri dhe që kryetarët që ajo i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesa komunale.

Teksa, kanë përmenduar edhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, ditë më parë, gjatë përleshjeve në Zveçan.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për NBC NEWS, të premtën ka paralajmëruar zgjedhje në Veri, por kjo, sipas tij, do të ndodhë me kusht që fillimisht banditët që shkaktuan dhunë në protesta të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.

Protestat në Veri. Foto: REL

“Duhet të jemi të sigurt që të zbatohet marrëveshja e Brukselit e cila e ka njohjen de-facto, për shtensionim këta banditë, këta ekstremistë të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë dhe pastaj zgjedhje të hershme”.

“Këta kryetarë kanë legjitimet të vogël, por janë të vetmit të ligjshëm. Para se të kemi zgjedhje të hershme, duhet të kemi sundimin e ligjit në vend, që këta banditë, ekstremistë të dhunshëm që u paraqitën të jenë para ligjit dhe më pas të ketë kushte dhe fushatë të hapur për zgjedhje demokratike”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri, gjatë kësaj interviste konfirmoi edhe takimin javën e ardhshme me Escobarin dhe Lajçak.

Ndryshe, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar zgjedhje të reja në Veri pas tensionimit të situatës tash e 6 ditë në Veri, ku po mbahet protesta nga serbët lokal.

Osmani të enjten zhvilloi një takim me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron në margjinat e samitit të dytë të Komunitet Politik, ku është diskutuar ekskluzivisht për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, me vendim të kryeministrit Albin Kurti realizoi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore – Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera partenre të QUINT-it (Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe), e kanë bërë fajtore Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore