Lajme

LDK-ja propozon tri zgjidhje për krizën ekonomike në Kosovë


Kuvendi i Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka përmendur tri problemet kryesore të cilat sipas tij janë duke e përcjellur Kosovën.

“Janë tri probleme politike dhe ekonomike që na kanë përcjellur gjatë kësaj periudhe, kriza energjetike gjatë dimrit që e lamë pas, kriza e çmimeve që tash po thellohet çdo ditë edhe një pasiguri globale që është krijuar nga lufta në Ukrainë, për shkak të këtyre problemeve politike dhe ekonomike të gjithë indikatorët tregojnë që jeta e qytetarëve është vështirësuar”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të planifikoj pako të mbështetje për qytetarët në këtë kohë krize.

“Ne vlerësojmë që është e pashmangshme të dizajnohen pako të mbështetjes për qytetarët ndoshta të natyrës sikurse në kohën e pandemisë sepse kriza ekonomike dhe sociale është gati e atyre përmasave”.

Avdullah Hoti, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Ndër të tjera, i ka rekomanduar ekzekutivit tri propozime.

“Ngritja e çmimeve. Të gjithë indikatorët tregojnë se jeta e shumë familjeve është vështirësuar. Ne vlerësojmë që është e pashmangshme pakoja për të ndihmuar sikur në kohën e pandemisë. Vonesat në këtë drejtim shtojnë barrën e familjeve.

“Ne kemi 3 propozime, masa e parë dhe e menjëhershme është të bëhet indeksimi i të gjitha skemave pensionale e sociale me inflacionin. Së paku për të mbuluar produktet bazike”, tha Hoti.

Hoti, ka thënë se zgjidhja e dytë është subvencionimi në bujqësi.

“Rritja e kostove të imputeve bujqësore shkon edhe qind për qind. Ftoj Qeverinë që të ketë rritje të menjëhershme të subvencionimit në bujqësi. E treta është t’i kthehemi debatit për pagën minimale. Duhet të behet indeksimi i pagave në sektorin publik, te gjitha këto masat janë të përballueshme për buxhetin e shtetit”.

Ndërsa, deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e ka quajtur të paaftë kryeministrin Albin Kurti në qeverisjen e Kosovës.

Hoxha ka thënë se përveç mungesës së vizionit për zhvillimin ka pasur mungesë edhe në sundimin e ligjit.   “Skam se si të mos përmend disa elemente. Nuk ka krijuar klimë për investime të huaja. Nga ka pasur vit më të brishtë sesa ky. Përveç mungesës së vizionit për zhvillimin ka pasur mungesë edhe në sundimin e ligjit. Një politikë e jashtme është abstenim në përfaqësimi i Kosovës si shtet.

Tutje, ajo është shprehur se për një vit qeverisjeje, numri i të papunëve është rritur dhe numri i çdo artikulli.

“Për një vit numri i të papunëve është rritur dhe numri i çdo artikulli. Ne kërkojmë që kjo qeveri të këndellet e të operojë lidhur me detyrat e saj. Është e dëmshme që jetët tona të rëndohen e qeveria të vazhdojë sikurse të ishte në një vakum jashtë realitetit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore