Lajme

Laureatët e Çmimit Nobel në Mjekësi për 2021-shin, dy amerikanët David Julius dhe Ardem Patapoutian


David Julius dhe Ardem Patapoutian, dy shkencëtarët amerikanë, kanë fituar Çmimin Nobel për Mjekësinë për zbulimin e receptorëve në lëkurë që ndiejnë temperaturën dhe prekjen dhe mund të hapin rrugën për qetësuesit e rinj të dhimbjeve.

Asambleja Nobel në Institutin suedez “Karolinska”, ka bërë me dije se puna e tyre, e kryer në mënyrë të pavarur, ka ndihmuar në tregimin se si njerëzit e shndërrojnë ndikimin fizik nga nxehtësia ose prekja në impulse nervore që lejojnë “perceptimin dhe përshtatjen me botën përreth”.

Agjencia e lajmeve “Reuters”, tregon se asambleja ka vijuar, duke thënë se “kjo njohuri po përdoret për të zhvilluar trajtime për një gamë të gjerë të sëmundjeve, përfshirë dhimbjet kronike”.

Anëtari i Komitetit Nobel, Patrik Ernfors, shpjegon Çmimin Nobel 2021 në Fiziologji ose Mjekësi gjatë një konference për shtyp në Institutin “Karolinska”

Patapoutian, i cili lindi në vitin 1967 nga prindër armenë në Liban dhe u transferua në Los Angeles në rininë e tij, mësoi lajmin nga babai i tij, pasi ai kishte qenë jashtë kontaktit me telefon.

“Në shkencë shumë herë gjërat që ne i marrim si të mirëqena janë me interes të lartë”, ka thënë ai për fitimin e çmimit më shumë se njëshekullor, i cili vlen 10 milionë korona suedeze.

Ai është merituar për gjetjen e mekanizmit celular dhe gjenit themelor që kthen një forcë mekanike në lëkurën tonë në një sinjal nervor elektrik.

Patapoutian është profesor në Scripps Research, La Jolla, Kaliforni, pasi ka bërë kërkime më parë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko dhe Institutin e Teknologjisë të Kalifornisë, Pasadena.

Thomas Perlmann, Sekretar i Asamblesë Nobel dhe Komitetit Nobel, shpall fituesit e Çmimit Nobel 2021 në Fiziologji ose Mjekësi David Julius dhe Ardem Patapoutian gjatë një konference shtypi në Institutin “Karolinska”

Ndërkohë, 65-vjeçari Julius, i lindur në New York, është profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, pas punës së mëparshme në Universitetin Columbia, në vendin e tij të lindjes.

Gjetjet e tij u frymëzuan nga magjepsja për mënyrën sesi produktet natyrore mund të përdoren për të hetuar funksionin biologjik.

“Reuters” tregon se ai përdori capsaicin, molekulën që i bën specat djegës pikantë, duke simuluar një ndjesi të rreme të nxehtësisë, për të kuptuar ndjenjën e temperaturës së lëkurës.

Julius shpreson se puna e tij do të ndihmojë në identifikimin e strategjive të reja për trajtimin e sindromave të dhimbjes kronike.

“Ne të gjithë e dimë se ka një mungesë reale të ilaçeve dhe qasjeve për të trajtuar dhimbjet kronike”, ka thënë Julius në një video të vitit 2017 të postuar në Youtube.

Ai ka vijuar se “mendoj se ne kemi nevojë për disa njohuri të reja dhe ide të reja për trajtimin e dhimbjeve dhe mendoj se puna jonë do të kontribuojë në këtë”.

Vjen si surprizë

Sipas Komitetit të Nobel-it, të dy laureatët u kapën në befasi.

Profesor Thomas Perlmann, sekretar i Përgjithshëm për Asamblenë Nobel dhe Komitetin Nobel për Fiziologji ose Mjekësi, i ka përshruar ata si “tepër të lumtur dhe me aq sa mund të them, të befasuar dhe pak të tronditur”.

“Reuters” tregon se çmimet prestigjioze Nobel, për arritjet në shkencë, letërsi dhe paqe, u krijuan dhe u financuan me vullnetin e shpikësit dhe biznesmenit suedez, Alfred Nobel.

Ata janë dhënë që nga viti 1901, me çmimin ekonomik të shpërndarë për herë të parë në vitin 1969.

Çmimi Nobel për Fiziologji ose Mjekësi, i ndarë në pjesë të barabarta këtë vit nga dy laureatët, shpesh jeton nën hijen e Nobel-it për letërsinë dhe paqen apo marrësit e tyre të njohur.

Mirëpo, prej pandemisë së COVID-19, mjekësia është vënë në qendër të vëmendjes dhe disa shkencëtarë kishin sugjeruar se ata që krijuan vaksina mund të shpërblehen këtë vit ose në vitet e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore