Lajme

Largohet regjimi i stikersave, Kosova dhe Serbia ia njohin targat njëra tjetrës


Foto: Albanian Post.

Më 4 janar, Qeveria e Kosovës, vendosi për heqjen e letrave ngjitëse mbi targat e Serbisë, gjatë qarkullimit të tyre në territorin e Kosovës.

Po ashtu edhe automjetet me targa RKS, që nga 1 janari, qarkullojnë pa letra ngjitëse në territorin e Serbisë, me vendimin e qeverisë së saj.

Para hyrjes në fuqi të vendimit, në vendkalimin kufitar ndërmjet dy vendeve, në Merdarë, mbi targat serbe vazhdoi vendosja e “letrës ngjitëse”, edhe më 5 janar.

Ishte pikërisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjatë ditës së premte sqaroi se si kishin ardhur deri tek vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.

“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa”.

“Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”, ka potencuar fillimisht Kurti.

Por, sipas tij, në rast se Policia e Kosovës, ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë.

Ky vendim u mirëprit nga ndërkombëtarët, i pari që reagoi ndaj këtij vendimi ishte Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovë për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Vendimi i ekzekutivit kosovar për largimin e stikersave për targat e automjeteve serbe erdhi pasi Qeveria e Serbisë lejoi qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb.

E këto vendime reciproke nga të dyja shtetet, sipas Rohde, do të bëjë më të lehtë udhëtimin në mes dy vendeve fqinje.

“‘Tschüss’, stikersat në targa. Mirëpresim vendimet e qeverisë kosovare dhe serbe për largimin e regjimit të stikersave, kështu u bë më lehtë udhëtimi mes dy fqinjëve”, shkroi Rohde në platformën sociale, X.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde.

Pas tij, reagoi edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila ka vlerësuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitësve/stikersave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Këto vendime reciproke nga të dyja shtetet, sipas eurodeputetes gjermane, dëshmojnë faktin se Serbia ka bërë një hap përpara në drejtim të njohjes de facto të Kosovës, duke kontribuar për paqen dhe prosperitetin në rajon.

“Nuk ka më ngjitëse në targa kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte projektuar si masë e përkohshme përfundimisht është anuluar. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqen dhe prosperitetin në rajon”, ka shkruar Cramon në platformën sociale, X.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon.

Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, e ka konsideruar si një shembull të mirë për t’u ndjekur edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera në kuadër të dialogut vendimet e Kosovës dhe Serbisë për t’i larguar në mënyrë reciproke letrat ngjitëse nga targat e veturave.

Qeverisë së Kosovës, të enjten, vendosi për largimin e regjimit të letrave ngjitësve/stikersave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar, pasi Qeveria e Serbisë lejoi qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb.

“Nuk ka më nevojë për stikera në targat e automjeteve nga Kosova e Serbia. Një mënyrë e mirë për të nisur vitin, duke ua bërë jetën më të lehtë qytetarëve të të dy vendeve”, ka theksuar Guerot në platformën sociale, X.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot,

Në fund të qershorit 2022, Qeveria e Kosovës, mori vendim për ri-regjistrimin e të gjitha automjeteve me targa të lëshuara nga Serbia me akronimet për qytetet e Kosovës, si KM, PR, GL e kështu me radhë.

Me këtë vendim po ashtu parashihej që për personat me letërnjoftime serbe të lëshohet dokumenti hyrës/dalës, që ishte edhe masë reciproke ndaj Serbisë.

Në prag të fillimit të zbatimit të këtyre vendimeve, më 31 korrik, serbët ngritën sërish barrikada, të cilat megjithatë u hoqën një ditë më vonë për shkak se Kosova pranoi ta shtyjë zbatimin e tyre për 30 ditë.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për ri-regjistrimin e makinave.

Megjithatë, të dyja palët më vonë e interpretuan ndryshe këtë marrëveshje.

Ilustrim: Albin Kurti, Miroslav Lajçak, Derek Chollet, Christopher Hill, Gabriel Escobar

Më 6 dhjetor 2022, Qeveria e Serbisë miratoi një dekret në bazë të të cilit automjetet me targa “KM” lejohen të lëvizin pa etiketë regjistrimi, gjegjësisht atyre u duhet t’i tregojnë zyrtarëve vetëm një policë sigurimi dhe një certifikatë kontrolli teknik.

Kosova e interpretoi këtë hap të Serbisë si rinovim të regjistrimit me arsyetimin se bie ndesh me marrëveshjen e Brukselit. Prandaj, autoritetet e Kosovës ndaluan qarkullimin e makinave me targa “KM” në Veri që ishin regjistruar në sistemin serb pas arritjes së marrëveshjes për targat në nëntorin e vitit 2022.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen për targat në vitin 2011.

Por, ajo nuk ishte zbatuar.

Në vitin 2021, çështja e targave nxiti tensione në Veri, tensione të cilat u përshkallëzuan në dy vjetet pasuese. Konvertimi i targave në shumë raste kishte dërguar edhe në djegien e makinave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore