Kosova

Këshilli i Evropës, Kurti: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe kushtetutën


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë.

I pyetur për kërkesën e kancelarive evropiane për krijimin e Asociacionit kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti ka potencuar se Qeveria e Kosovës po dëshiron të eliminojë disa skepticizma që mund të ekzistojnë eventualisht deri në mes të muajit maj.

“Ne jemi në të drejtën tonë. Mos të harrojmë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron të drejta të gjera për pakicat, e në veçanti për atë serbe. Dhe nuk e mohojmë që paraardhësit tanë kanë bërë një marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por gjithçka duhet të jetë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik të republikës dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbë”, ka thënë ai në një intervistë për DW.

Kurti duke shpjeguar se si do ta menaxhojë sfidën aktuale – Asociacionin – drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës ka vlerësuar se edhe “plani i Ahtisaarit e ka paraparë një lloj bashkëpunimi ndërkomunal, por larg asaj që ka kërkuar Beogradi”.

“Pra, nuk i reduktojmë ne të drejtat e pakicës serbe në një formulim të Asociacionit, por në të njëjtën kohë nuk mohojmë se këtë asociacion e kanë nënshkruar paraardhësit e mi, Thaçi dhe Mustafa, njëri para 11 vjetëve dhe tjetri para 9 vjetëve”.

Kurti ndër të tjera ka theksuar se nuk mund të imponohet Asociacioni, Komunave të Kosovës.

“Çka nëse komunat nuk e duan asociacionin? Pra, mendimi i tij është shumë i shëndoshë (i Gerald Knaus, nga European Stability Initiative, i cili e quajti realizimin e Asociacionit në kushtet aktuale të pamundur, meqë sipas tij mungon dëshira e komunave serbe për ta realizuar), por mendimi i tyre (i pakicës serbe) është ende i panjohur. Pra, ai ka të drejtë në këtë aspekt, por të gjitha këto jemi duke i trajtuar”, ka shtuar ai.

Kryeqeveritari ndër të tjera ka deklaruar se ka qenë ai i cili më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut – ku Kosova e Serbia u dakorduan për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes Bazë – ka propozuar ta shkruaj draft-statutin e Asociacionit.

“Nuk është pranuar një gjë e tillë. Kjo është refuzuar nga Serbia. Tash, Asociacioni është në kuadër të nenit 10 të 39 marrëveshjeve që i kanë bërë paraardhësit e mi, të marrëveshjes bazike. Nuk konsideroj që është në rregull që Asociacioni të nxirret nga marrëveshja bazike, të vendoset në qendër si prioritet, dhe që marrëveshja bazike të spostohet në prapavijë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca dhe Gjermania, kërkuan që Kosova të bëjë një hap substancial në raport me Asociacionin – të paktën duke dërguar draft-statutin e këtij mekanizimi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim – para anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Asociacioni deri me 10 maj në Gjykatën Kushtetuese?

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Ndërkaq Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, James O’Brien kërkoi “përparim urgjent” në raport me këtë mekanizëm.

Albanian Post, ditë më parë raportoi se Qeveria e Kosovës është pajtuar në parim me komunitetin ndërkombëtar që pas përkrahjes që ka marrë me 16 prill nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, të dërgojë deri më 10 maj për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.

Gjermania kërkon që Kosova ta dërgojë në Kushtetuese Asociacionin nëse do anëtarësim në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore