Lajme

Largimi i stikersave nga targat, Guerot: Shembull i mirë për zbatimin e marrëveshjeve të tjera


Olivier Guerot

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, po e konsideron si një shembull të mirë për t’u ndjekur edhe në zbatimin e marrëveshjeve të tjera në kuadër të dialogut vendimet e Kosovës dhe Serbisë për t’i larguar në mënyrë reciproke letrat ngjitëse nga targat e veturave.

Qeveria e Kosovës, të enjten, vendosi për largimin e regjimit të letrave ngjitësve/stikersave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar, pasi Qeveria e Serbisë lejoi qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb.

“Nuk ka më nevojë për stikera në targat e automjeteve nga Kosova e Serbia. Një mënyrë e mirë për të nisur vitin, duke ua bërë jetën më të lehtë qytetarëve të të dy vendeve”, ka theksuar Guerot në platformën sociale, X.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte, përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.

Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.

Por, sipas tij, në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore